Pas përfundimit të grand slam të Wimbledon është përpiluar edhe renditja e re e tenistëve. Jannik Sinner dhe Aryna Sabalenka vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e parë në kategoritë përkatëse.
Italiani, fitues të dielën në Londër, thellon edhe më shumë diferencën me Carlos Alcaraz, i dyti. Gati 4500 pikë është diferenca mes tyre, por tani nis “malorja” për Sinner, që i duhet të mbrojë pikët e fituara vjet.
Në podium ndodhet edhe gjermani Alexander Zverev (i treti), ndërkohë që mes pesë më të mirëve janë edhe amerikani Taylor Fritz e britaniku Jack Draper. Ruan vendin e gjashtë serbi Novak Djokovic.
Te femrat, bjellorusja Aryna Sabalenka vijon të jetë e shkëputur ndjeshëm nga rivalet, me mbi 4500 pikë ndaj amerikanes Coco Gauff. Në vendin e tretë ngjitet Iga Swiatek, polakja që doli fituese në Wimbledon.
Në “top-5” edhe Jessica Pegula e Amerikës dhe rusja Mirra Andreeva, ende një adoleshente. Fiton 5 pozicione tenistja tjetër amerikane Amanda Anisimova, finaliste në turneun londinez.
“Top-5”-Meshkuj
1.Jannik Sinner, 12.030 pikë
2.Carlos Alcaraz, 8,600 pikë
3.Alexander Zverev, 6,030 pikë
4.Taylor Fritz, 5,035 pikë
5.Jack Draper, 4,650 pikë
“Top-5”-Femra
1.Aryna Sabalenka, 12,420 pikë
2.Coco Gauff, 7,669 pikë
3.Iga Swiatek, 6,813 pikë
4.Jessica Pegula, 6,423 pikë
5.Mirra Andreeva, 5,163 pikë
Sinner dhe Swiatek triumfojnë në Wimbledon, ja si ndryshon renditja pas grand slam
