Dy klube gjermane vihen pas Armando Brojës, djali i Igli Tares vesh fanellën e Tiranës

Adriatik BALLA
Në kampionatin shqiptar po vëjnë në këtë merkato disa emra të spikatur. Pas Egnatias që mori një lojtar të Barcelonës, duket se edhe Tirana ka dashur të dalë në qendër të vëmendjes me goditjet e saj, teksa ka bërë të ditur se ka firmosur me djalin e Igli Tares, Etien Taren. Nga ana tjetër, vijojnë përpjekjet e klubeve të tjera për të pasur surpriza në treg. Sa për Brojën dhe Manajn, ata vijojnë të marrin oferta, por ende nuk e kanë ndarë mendjen se ku do të jenë sezonin e ri. Merkato vijon dhe në ditët në vijim mund të kemi surpriza të shumta edhe me emrat e njohur.
Broja merr interesim nga dy klube të Bundesligës
Sulmuesi shtatlartë i Kombëtares, Armando Broja, është ende duke kërkuar klub të ri gjatë afatit kalimtar të verës. Broja pritet të largohet nga Çelsi edhe pse ka kontratë deri në vitin 2028. Ai nuk është në planet e Enzo Mareskës, sidomos pas nënshkrimit me Joao Pedron dhe Liam Delapin. Kështu sipas gazetarit gjerman, Florian Pleternberg – për Brojan janë dy klube nga Bundesliga që kanë shprehur interesim. Është RB Leipzig dhe Volfsburgu. Kurse Çelsi kërkon 20 milionë euro për të. Më favorite për të nënshkruar me Brojën nga kjo dyshe skuadrash është Leipzig, e cila nuk e ka problem të paguajë këtë shifër.
Djali i Igli Tares vesh fanellën e Tiranës
Tirana është klubi më aktiv në merkato në këto ditë, duke vazhduar lëvizjet e bujshme në radhët e kësaj skuadre me afrime lojtarësh të rinj që do të vihen në dispozicion të teknikut që do të marrë drejtimin e bardhebluve. Afrimi i fundit është një emër i njohur për futbollin shqiptar, pasi edhe në edicionin e kaluar u mundua të bëhej protagonist i tij, pa shumë sukses. Ai është Etien Tare, djali i Igli Tares, i cili në moshën 21-vjeçare është ende në kërkim të një skuadre ku të luajë rregullisht e tregojë sa vlen. Në pjesën e parë të sezonit të kaluar, Etien Tare iu bashkua Skënderbeut, por nuk ia doli të shpërthente në radhët e korçarëve, duke u larguar gjatë merkatos së janarit. Ai iu bashkua më pas ekipit të Dukagjinit në Kosovë, duke mbyllur etje sezonin. Tare në ditët e funti ka dalë në stërvitje me Tiranën, ndërsa më në fund është gjetur akordi për të hedhur firmën në kontratë dhe për ta bërë atë pjesë të bardhebluve.
Kombëtarja U-21 do të luajë miqësore me moshatarët gjermanë më 5 shtator
Kombëtarja shqiptare U-21 do të zhvillojë një ndeshje miqësore prestigjioze ndaj Gjermanisë U-21 në muajin shtator. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me Federatën Gjermane të Futbollit që kjo ndeshje të luhet më datë 5 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”. Orari i takimit do të përcaktohet në vijim. Kjo ndeshje miqësore është një test i rëndësishëm për trajnerin Alban Bushi dhe stafin teknik, për të vëzhguar nga afër lojtarët e grumbulluar dhe për të ndërtuar një grup sa më konkurrues në funksion të Europianit U-21 2027. Kombëtarja U-21 është e kualifikuar automatikisht në këtë turne madhor, pasi Shqipëria është përzgjedhur si një nga vendet mikpritëse të Kampionatit Europian U-21 2027.