Kujtohet masakra e Srebrenicës, 30 vjet më parë serbët vranë mbi 8 mijë burra e djem myslimanë

Mijëra persona janë mbledhur në Srebrenicë të Bosnje-Hercegovinës për të shënuar 30-vjetorin e aktit të njohur të vetëm të gjenocidit në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari do të varrosen shtatë viktima të gjenocidit, ndër ta më të rinjtë janë Senajid Avdiq dhe Hariz Mujiq, të cilët ishin 19 vjeç kur u vranë.
Në ceremoninë përkujtimore, anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beqiroviq tha se ky gjenocid nuk do të kishte ndodhur pa ndihmën e Serbisë.

“E di që edhe sot shumë njerëz nuk duan të dëgjojnë për rolin e udhëheqësisë serbe në gjenocid. Obligimi im është të flas publikisht. Agresioni kundër Bosnje-Hercegovinës është nisur prej Beogradit. Pa mbështetje ushtarake, logjistike dhe financiare, gjenocidi në Srebrenicë nuk do të ishte i mundshëm”, tha Beqiroviq.
I pranishëm ishte edhe  Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Në këtë moment përkujtimi, ne riafirmojmë angazhimin tonë të palëkundur ndaj llogaridhënies dhe të vërtetës. Nuk ka vend në Evropë apo askund tjetër për mohimin e gjenocidit, revizionizmin apo glorifikimin e atyre që janë përgjegjës. Mohimi i tmerreve të tilla vetëm sa helmon të ardhmen tonë. Është detyra jonë të përballemi dhe të pranojmë të vërtetën e plotë. Ky është hapi i parë për të siguruar që mizori të tilla të mos ndodhin më kurrë”, tha Costa.
Në ceremoni mori pjesë edhe ministri i Jashtëm Igli Hasani. Në mesazhin e tij, Hasani nënvizoi se nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetën, dhe as paqe pa drejtësi.
Ministri zhvilloi takime me homologun e tij, Elmedin Konaković, si dhe me Sekretarin  e Përgjithshëm  të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Amer Kapetanović.
Bisedimet u përqendruan në zhvillimet më të fundit në rajon dhe në avancimin e agjendës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në 11 korrik 1995, ushtria serbe e Bosnjës pushtoi Srebrenicën, e cila ishte shpallur më parë një zonë e sigurt sipas Rezolutës 819 të Këshillit të Sigurimit të OKB.
Serbët vranë brutalisht mbi 8 mijë burra dhe adoleshentë. Pjesa e mbetur e popullsisë myslimane boshnjake e pranishme në Srebrenicë, rreth 25 mijë gra, fëmijë dhe të moshuar, u transferuan me forcë jashtë enklavës. Kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që nga Holokausti.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *