“Një ëndërr dhe privilegj të mbaj fanellën me nr.10 të Manchester United”

Në “Old Trafford” ka një numër të ri 10 dhe emocioni është i prekshëm. Matheus Cunha, i ardhur së fundmi nga Wolves për një shumë marramendëse prej 73 milionë eurosh, nuk e fsheh emocionin e tij për të trashëguar atë fanellë ikonike, të bërë legjendare nga kampionë si Wayne Rooney dhe Marcus Rashford.
Për brazilianin, është një privilegj të veshë atë simbol ndërsa përgatitet të lërë gjurmën e tij në Manchester United. “Është diçka që gjithmonë e ke ëndërruar. Mund të përmend kaq shumë lojtarë që e kanë veshur atë. Për mua, i pari që më vjen ndërmend kur shoh këtë numër në këtë fanellë është Wayne Rooney. Ai ishte një nga lojtarët që admiroja që kur isha fëmijë; kam parë kaq shumë ndeshje të tij”, tha Cunha.
Dhe jo vetëm ai: “Një herë e kam ndërruar këtë fanellë edhe me Marcus Rashford pas një ndeshjeje. Ee kam fanellën e tij në shtëpinë time. Por, sigurisht, e dimë që shumë kampionë të tjerë e kanë veshur: van Nistelrooy, Ibrahimovic“.
Për Cunha është shumë më tepër se sa thjesht një numër: “Është një ëndërr, jo vetëm të vesh fanellën, por me gjithë historinë pas atij numri, është diçka e bukur që kam privilegjin ta bëj“.
“Me çdo numër të vetëm do të ishte kënaqësi të vishja këtë fanellë. Por, po, me këtë është ndryshe. Dhe pastaj, sigurisht, vjen përgjegjësia, dhe shpresoj të jem në gjendje të bëj gjithçka: gola, asiste dhe të ndihmoj ekipin“, tha Mateus Cunha.