Vdekja tragjike e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu mbrëmjen e 7 korrikut në Lipjan ka nxitur reagime të ashpra në opinionin publik dhe ka vënë nën presion institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, Zejnullahu kishte sjellje agresive dhe ishte raportuar nga qytetarët se po sulmonte kalimtarë dhe vetura në rrugën “Haradin Bajrami”. Policia kishte marrë gjashtë telefonata të njëpasnjëshme nga qytetarë të shqetësuar dhe kishte ndërhyrë në vendngjarje rreth orës 00:12. Për shkak të rezistencës aktive të Zejnullahut dhe tentativave të tij për të sulmuar zyrtarët policorë, është përdorur sprej mbrojtës.
Pas ndërhyrjes, Zejnullahu ndërroi jetë. Në vendngjarje u gjetën gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike.
Aktualisht, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar dhe suspenduar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, i cili ka nisur hetime për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Sot në orën 10:30 në Gjykatën Themelore në Lipjan pritet të mbahet seanca dëgjimore ndaj tyre.
Rasti ka shkaktuar zemërim dhe kërkesa për transparencë dhe drejtësi. Shumë qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin për përdorimin e forcës dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit, për të përcaktuar nëse veprimet policore ishin të justifikuara apo tejkaluan kompetencat ligjore.
Hetimet po vazhdojnë ndërkohë që publiku pret përgjigje për një ngjarje që ka tronditur komunitetin dhe ka rikthyer debatin për përdorimin e forcës nga ana e autoriteteve.
Vdekja e të riut në Lipjan/ Të dyshuar për dhunë, nis sot gjykimi ndaj policëve
