Kalju ka pësuar tjetër humbje që peshon shumë në kampionat. Rivalët e Partizanit në Europë u mposhtën me rezultatin 1-0 nga Flora. Humbje që dhemb shumë, pasi erdhi në minutën e 93-të kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit pa gola.
Ndeshja ishte e vlefshme për javën e 19-të të kampionatit estonez. Sfida nisi më mirë për vendësit e Florës, që patën qarkullimin e topit. Për më tepër, një gol i tyre u anulua për pozicion jashtë lojë. Më tej ishte Kalju që krijoi disa raste të rrezikshme, por fati nuk ishte në anën e tyre. Kalju ndodhet në vendin e katërt me po aq pikë sa Paide e vendit të tretë. Rezultatet e dobëta në tri javët e fundit kanë bërë që të heqë dorë nga gara për titull. Levadia mban vendin e parë me 9 pikë më tepër. Kalju fitoi Kupën e Estonisë në muajin maj.
Kjo është arsyeja përse po luan pa presion, për shkak se ka siguruar pjesëmarrjen në Europë për vitin 2026. Tashmë i gjithë fokusi është te përballja me Partizanin. Kalju do t’i presë të kuqtë në Talin, ndërsa ndeshja do të luhet më 10 korrik prej orës 18:45. Dhe pse Partizani ishte në vazon e favoritëve, kompanitë e basteve kanë kuotuar Kaljun më mirë. Avantazhi i tyre qëndron pikërisht se janë në aktivitet.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.Grupi Balkanweb
