Drita bën detyrën në fushën e saj, fitore minimale. Shkëndija mjaftohet me barazimin pa gola në transfertë

8 Korrik 2025

22:00

Telesport

Ka filluar sot faza e parë e raundit të parë kualifikues në Champions League, aty ku marrin pjesë edhe ekipet shqiptare. Në “Fadil Vokrri”, kampionia e Kosovës, Drita, u përballë me kampionin e Luksemburgut, Differdange.
Edhe pse dardanët e drejtuar nga Zekirija Ramadani vinin si favorit në këtë takim, e patën shumë të vështirë të gjenin golin. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Goli i parë i takimit do të vinte në minutën e 73-të, ku vendasit do të gjenin golin me yllin e tyre Arb Manaj, i cili shtyu topin në rrjetë, pas një aksioni të shpejtë. SHIKOGOLIN
Drita fiton përfundimisht 1-0 dhe shkon në avantazhin e një goli në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet pas një jave në Luksemburg.
Po ashtu ka nisur sot aventurën në Champions League, edhe Shkëndija, e cila luajti në transfertë ndaj uellsianëve të TNS. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.
Rezultati nuk ndryshoi as në pjesën e dytë. Kuqezinjtë e Tetovës të drejtuar nga Jeton Beqiri do të kërkojnë kualifikimin në ndeshjen e kthimit që do ta luajnë në shtëpi pas një jave.