Më 8 korrik 2008, qyteti i Beratit iu bashkua Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke u njohur ndërkombëtarisht për vlerat e tij unike arkitektonike, historike dhe kulturore. Sot, 17 vjet më pas, Berati nuk është vetëm një qytet në UNESCO e qytet i shpallur muze nga Shqipëria që nga viti 1961, por një destinacion i gjallë që mishëron më së miri bashkëjetesën mes së lashtës dhe të sotmes.Që prej vitit 2008, shumëçka ka ndryshuar. Infrastruktura rrugore, dikur pengesë për të vizituar qytetin, është përmirësuar ndjeshëm, duke e bërë Beratin më të arritshëm për vizitorët vendas e të huaj. Por vetëm në vitet e fundit qyteti ka njohur një hov të vërtetë zhvillimi, duke u kthyer në një nga pikat më dinamike të turizmit kulturor në Shqipëri.Janë shtuar ndjeshëm strukturat akomoduese, numri i bar-kafeneve dhe restoranteve është rritur, dhe janë kryer punime restauruese jo vetëm në fasadat e shtëpive karakteristike, por edhe në mjediset publike dhe monumentet kryesore.Lagje historike si Mangalemi dhe zona pranë urës së Goricës, që dikur shfaqeshin të braktisura, sot janë kthyer në zona plot jetë, ngjyra dhe gjallëri. Kjo falë investimeve publike dhe private, por edhe kthimeve të emigrantëve që kanë rikthyer në jetë banesat e të parëve, duke i transformuar në bujtina mikpritëse, restorante autentike dhe hapësira kulturore.Sot, Berati është një qytet që jeton turizmin gjatë gjithë vitit. Vetëm gjatë periudhës janar-maj 2025 priti 370 mijë turistë, një shifër që dëshmon se trashëgimia, kur shoqërohet me përkujdesje, vizion dhe dashuri për vendin, mund të kthehet në motor zhvillimi.Një trashëgimi që frymëzon edhe sotBerati, për shkak të objekteve muzeale me vlera të mëdha kombëtare, ishte shpallur qytet-muze që në vitin 1961. Kalaja e Beratit, ura me 7 harqe e Goricës, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, Muzeu Onufri, Epitafi i Gllavenicës, Kodiku i Purpurt i Beratit, etj., përbëjnë pasurinë historike të qytetit 2400-vjeçar.Pas hyrjes në UNESCO (Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara), ku vendi ynë aderon që prej vitit 1958, qyteti i “një mbi një dritareve” filloi të promovonte vlerat monumentale dhe të përfaqësohej ndërkombëtarisht së bashku me qytetin e Gjirokastrës, si një sit i përbashkët për shkak të ngjashmërisë arkitektonike dhe historike.Berati, sipas UNESCO-s, është dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve. Në kriterin e tretë të arsyes së nënshkrimit të Beratit në UNESCO shprehimisht thuhet se: Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, dhe të jetëgjatësisë së mënyrave të jetës të cilat sot pothuajse janë zhdukur.Kriteri i katërt përmend se dy qytetet janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës Klasike Osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që e paraprinë atë. Ky është një vlerësim mjaft i rëndësishëm për qytetin e Beratit, i cili sot renditet mes 600 vendeve të botës që janë në UNESCO si rrjedhojë e trashëgimisë së tyre universale./Diaspora Shqiptare/.
Berati 17-vjet në UNESCO, nga qytet-muze në histori suksesi turistik
