Tirana prej dy ditësh është duke u stërvitur në “Skënder Halili”. Të shtunën pasdite dhe të dielën paradite, skuadra ka punuar e drejtuar nga ish-ndihmësit e Shkëmbit, si dhe trajneri i portierëve, Alfred Osmani.
TITULLARËT – Nga lojtarët titullarë, veç shqiptarëve të mbetur si: Haxhiu, Kola, Ismajli e ndonjë tjetër, pjesa tjetër ishte me të rinj. Me grupin edhe dyshja latinoamerikane Rafael dhe Luçiano Vera. Me grupin ishte bashkuar Ernest, ndërsa Gjumsi vazhdon të vuajë një problem në shpatull. Pjesa tjetër e futbollistëve ishte e gjitha dhe të rinjtë e skuadrës bashkuar me 19-vjeçarët.
MUNGESAT – Në stërvitje kanë qenë disa lojtarë, të cilët kanë munguar, shumica e tyre të huaj. Së pari, mungonte dyshja Mahamadu Dembele dhe Ualid Zharmuni. Ata nuk ishin në fushën e stërvitjes. Po kështu, nuk është parë në “Skënder Halili” as Ian Soler, spanjolli i mesfushës. Ky i fundit do të jetë sot në kryeqytet, ashtu si edhe Abel Abah.
LARGIME NGA STAFI – Veç lojtarëve, te Tirana janë larguar edhe pjesë të stafit të vjetshëm. Sabien Lilaj është te Struga, ndonëse klubi nuk ka zyrtarizuar largimin. Po kështu, Marvin Kastrati një nga fizioterapistët nuk do të jetë më pjesë e bardhebluve. “Pas 4 vitesh si pjesë e stafit të Klubit të Futbollit Tirana, rrugët tona ndahen dhe aventura ime profesionale në këtë klub merr fund. U rrita shumë më herët, në shkallët e stadiumit, mes emocioneve të një fëmije që ëndërronte bardheblu dhe që rritej me këtë dashuri bashkë me familjen e tij.
Pata fatin dhe nderin të punoj për ekipin që kam dashur gjithë jetën. Të jem pranë djemve në fushë, të ndaj emocione, sfida, fitore dhe sakrifica. Falënderoj çdo koleg dhe lojtar me të cilët kam ndarë këtë rrugëtim, por mbi të gjitha, faleminderit TIRONA ime, jo vetëm për mundësinë, por për çdo emocion që më ke dhuruar që kur isha fëmijë, e deri më sot”, shkruante ai në rrjetet sociale.
