Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me kërcënimin për vendosje bombe në Kuvendin e Kosovës, i cili ndodhi një ditë më parë. Sipas autoriteteve, nga hetimet paraprake rezulton se kërcënimi është bërë përmes një numri telefoni që dyshohet të jetë nga Serbia.
“Forcat e rendit, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, po vijojnë hetimet për të lokalizuar mjetet dhe rrjetet e komunikimit të përdorura në këtë kërcënim,” thuhet në njoftimin zyrtar. Policia ka bërë të ditur se janë aktivizuar edhe kontaktet me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Pas sinjalizimit, ndërtesa e Kuvendit u kontrollua me imtësi, përfshirë automjetet në parking, ndërsa të gjithë deputetët, punonjësit dhe gazetarët u evakuuan.
Kjo ngjarje ndodhi në ditën kur Kuvendi u mblodh për herë të 42-të që prej 15 prillit, në një tjetër përpjekje për konstituim. Megjithëse ishin të pranishëm vetëm 74 nga 120 deputetë, takimi u ndërpre për shkak të alarmit për bombë.
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, do të ketë pasoja ligjore për ata që pengojnë procesin kushtetues.
Kërcënimi me bombe në Kuvend, Policia e Kosovës: Erdhi nga një numër telefoni serb
