Përpjekja e 41-të për konstituimin e përbërjes së Kuvendit të Kosovës dështoi sërish dje, ndërsa afati kushtetues për formimin e institucioneve vazhdon të rrjedhë pa sinjale për zgjidhje. Në një akt simbolik ndaj bllokadës, në oborrin e Kuvendit të Kosovës u sollën katër gomarë, derisa protestuan edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Në sallë ishin të pranishëm 99 deputetë, ndërsa për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje, votuan 54 deputetë. E vazhdimi i radhës i seancës konstituive është caktuar për të shtunën, duke filluar nga ora 11:00. Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë lutur kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, që t’i kthehet rendit të ditës me votim të hapur, duke e akuzuar për abuzim dhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
Sakaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje po insiston që votimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë. Ai tha se gjashtë herë u provua votimi i hapur. Edhe pse po insiston për votim të fshehtë Kurti nuk e di nëse arrihen 61 vota për votimin e Albulena Haxhiu për kryetare. “Së pari garanci nuk ka. Nuk e dimë a i kemi 61 vota. Nuk e di që i kemi. Është detyrë e jona që të përpiqemi të gjejmë zgjidhje. E kërkuam zgjidhjen me votimin e hapur nuk u gjet. Le ta provojmë zgjidhjen me votimin e fshehtë. Unë besoj që është gabim dhe dëm nëse nuk e provojmë, sepse Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin nga viti 2014, në pikë 128, 124, 126, 127 ka thënë se të gjithë duhet të qëndrojnë në sallë, të jenë të pranishëm dhe të votojnë për, kundër ose abstenim”, tha ai.
Dështon edhe përpjekja e 41-të për zgjedhjen Kryetarit të Kuvendit, Kurti insiston për votimin e fshehtë
