Luis Suárez: Më 2012 doja të shkoja te Juventusi, largimin nga Barcelona e kam vuajtur shumë

Luis Suárez ka zbuluar një prapaskenë interesante të karrierës së tij. Sulmuesi i Inter Miami, në një intervistë me “Davoo Xeneize” ka pranuar se më 2012 ishte shumë afër kalimit te Juventusi, por në fund Brendan Rodgers e bindi të qëndronte te Liverpool-i.
“Në vitin 2012 doja të shkoja te Juventusi, por Brendan Rodgers më bindi të qëndroja, falë ideve të tij për futbollin”, – rrëfeu “El Pistolero”. Një vit më vonë, ai kishte të njëjtin mendim për Arsenalin, por një bisedë me Steven Gerrard ndryshoi gjithçka:
“Doja të shkoja tek Arsenali sepse luante çdo vit në Champions League, por një ditë, gjatë stërvitjes, Gerrard më tha: As unë nuk shkova te Real Madridi dhe klube të tjera, por besoj se vendimi më i mirë për ty është të qëndrosh edhe një vit. Nëse qëndron, vitin tjetër do të kesh mundësi të zgjedhësh mes Bayernit, Realit ose Barcelonës. Ato fjalë më prekën dhe i thashë gruas sime se do të qëndroja”.
Në lidhje me largimin nga Barcelona, sulmuesi veteran uruguajan pranoi se ishte një moment i vështirë. “E kam vuajtur shumë largimin, por e dija që duhej të ndodhte. Nuk mbaj mëri, por ndjeja se ende mund të jepja shumë për klubin”, – kujtoi ai periudhën e vitit 2020, kur ishte një nga golashënuesit më të mirë të skuadrës.