Dembele karikon PSG: Në momentet vendimtare lojtarët e mëdhenj bëjnë diferencën

32 gola dhe 7 asistime janë shifrat e deritanishme të këtij sezoni që tregojnë  transformimin mbresëlënës të Ousmane Dembélé. Sulmuesi i PSG-së po e konfirmon nga ndeshja në ndeshje formën e tij të shkëlqyer, në një sezon ku parizienët janë pranë titullit të 15-të kampion në histori.
Kurorëzimi si kampion i Francës mund të zyrtarizohet këtë të shtunë, gjatë ndeshjes kundër Angers në “Parc des Princes”. Lojtarëve të Luis Enrique do t’u duhet vetëm një barazim për t’u kurorëzuar kampionë para tifozëve të tyre. Në prag të kësaj feste të madhe, Dembele shprehet gati për këtë fundsezon të zjarrtë.
“Ne jemi pranë fitimit të titullit, por do të qëndrojmë të fokusuar pasi sezoni nuk ka përfunduar ende. Përpara kemi edhe Champions League, që është objektivi kryesor i sezonit. Gjithsesi, çdo hap duhet hedhur me kujdes, pasi ndeshjet duhen marrë një e nga një, pa anashkaluar asnjë detaj”, tha Dembele
Ndeshjet në Champions do të luhen më 9 prill në Paris dhe më 15 prill në Birmingham. Një sukses në Champions mund t’i sjellë francezit edhe Topin   e Artë. “Do të ishte fantastike, por aty ka shumë konkurrencë. Kudo ka. Tani duhet të qëndrojmë të fokusuar sepse në momente lojtarë të mëdhenj bëjnë diferencën”, tha Dembele.