Adriatik BALLA
Lojtarët e përfaqësueses kuqezi janë sy e veshë nga merkato e verës, duke shqyrtuar ofertat që u kanë ardhur në këtë periudhë dhe duke projektuar të ardhmen e tyre për sezonin e ri. Kuptohet, jo të gjithë do të mund të marrin ofertën e dëshiruar, por një pjesë e lëvizjeve po ndodhin tashmë, sikurse ishte largimi i mbrojtësit Lindon Selahi nga kampionati kroat. Ndërkohë, dy emra të bujshëm nga përfaqësuesja janë në këtë moment në pritje të mësojnë destinacionin e ri. Ata janë mbrojtësi Mario Mitaj që luan në superligën e Arabisë Saudite dhe mesfushori Kristjan Asllani që luan me Interin në Serie A italiane.
Mitaj ka një shans të kthehet në Europë
Sikurse raportojnë mediat sportive në tërësi, Mario Mitaj mund të ketë rikthimin e bujshëm në Europë. Al Itihad ka marrë ofertë zyrtare në klub për mbrojtësin e Kombëtares kuqezi, që shkëlqeu në edicionin e fundit. Klubi me ofertën zyrtare nuk bëhet i ditur, ndërsa janë disa pas tij. Zgjedhja e Arabisë nuk ka ndikuar për keq te Mitaj, që vazhdon të konsiderohet e tashmja dhe ardhmja për Shqipërinë. Al Itihad u shpall kampion dhe vështirë të heqë dorë nga një lojtar si Mitaj. Klubi arab shpenzoi rreth 5 milionë euro për afrimin e tij nga Lokomotiva e Moskës. 21-vjeçari konsiderohet titullar i padiskutueshëm në krahun e majtë të mbrojtjes. Kontrata e tij përfundon në vitin 2028.
Asllani në listën e largimeve të Interit
Sipas mediave sportive italiane, Ange-Joan Boni ka plotësuar repartin ofensiv të Interit. Parma do të sigurojë 23 milionë euro plus tre të tjera në bonuse me vizitat mjekësore të lojtarit që do të planifikohen më vonë, ndërsa pritet të zgjidhen disa çështje burokratike. Me sulmuesin që do të integrohet në ekip, zikaltrit kanë arritur në 60 milionë euro shpenzime, ose më saktë buxhetin e caktuar për merkaton. Tani është koha për të shitur për të mbuluar shpenzimet dhe departamenti që mund të shohë disa largime në seancën e ardhshme të negociatave mund të jetë mesfusha. Siç është raportuar në numrin e sotëm të “Corriere dello Sport”, një largim i Davide Fratezi nuk do të ishte aq i dukshëm, ndërsa një transferim i Kristjan Asllanit është më i mundshëm. Gjithsesi presim se çfarë do të ndodh, nëse paraqitjete mesfushorit të Kombëtares në Botëror do t’ua ndërrojnë mendjen drejtuesve zikaltër.
Lindon Selahi vijon karrierën te Vidzev Lodz
Futbollisti shqiptar Lindon Selahi do e vazhdojë karrierën te Vidzev Lodz. Detajet janë zbuluar tashmë për mesfushorin shqiptar, që spikati te Rijeka. Selahi pritet nesër në Poloni për të përfunduar testet mjekësore. 26-vjeçari do të veshë fanellën me numrin 18 dhe do i bashkohet skuadrës të mërkurën për fazën përgatitore. Kontrata që do firmosë do ketë vlerë për tre vitet e ardhshme. Po ashtu do të qëndrojë opsioni i rinovimit edhe për një edicion tjetër. Selahi do të gjejë në skuadër Juljan Shehun. Të dy pritet të udhëheqin mesfushën e Vidzev Lodz për edicionin e ardhshëm.
Mario Mitaj mund të kthehet në Europë, Asllani nxirret në shitje nga Inter
