Yamal “përdor” Maradonën për “t’u shenjtëruar” si numri 10 i ri i Barcelonës

Ideja fillestare e Barcelonës ishte që të shpallte zyrtarisht se Lamine Yamal do të mbante fanellën me numrin 10, duke e lidhur këtë moment me një aktivitet të planifikuar për ditëlindjen e tij të 18-të, ashtu siç kishte raportuar “Mundo Deportivo”. Sidoqoftë, gjithçka mund të përshpejtohet, ky njoftim mund të bëhet që të martën.
Ylli i ri blaugrana do të mbushë moshën madhore të dielën, më 13 korrik, datë kur do të hyjë zyrtarisht në fuqi kontrata e tij e re deri në vitin 2031. Megjithatë, vetë Lamine e parapriu komunikimin e klubit të shtunën në mbrëmje, duke publikuar në rrjetet sociale një foto të Diego Armando Maradonës nga pas, me fanellën e Barcelonës dhe numrin 10.
Më pas postoi një imazh të tij duke festuar një gol me numrin 19 dhe një tekst të shkurtër: “Fanella ime, historia ime”, sikur ta mbyllte atë kapitull. Për të larguar çdo dyshim, babai i Lamine shkroi në Instagram: “Jo vetëm që e meriton fanellën 10. E meriton edhe shumë më tepër”.
Në këtë kontekst, dhe duke qenë se tashmë është e ditur publikisht se kush do ta mbajë numrin legjendar, “Jijantes” raporton se, duke përfituar nga fakti që të mërkurën, më 2 korrik, do të dalin në shitje fanellat e reja, një ditë më parë do të njoftohet se Lamine do të heqë dorë nga “19” për të marrë “10”, sapo të zyrtarizohet huazimi i Ansu Fati te Monaco për sezonin e ardhshëm.
Pas shpalljes së transferimit të Paul Pogba nga klubi i Principatës, të shtunën, plani i dakorduar me Barcelonën është që të martën të konfirmohet huazimi i Ansu Fati. Kështu, numri 10, që trashëgoi lojtari hispano-guinean nga Leo Messi, do të transferohet në shpinën e Lamine Yamal.
Kjo do të lejojë që të ketë mjaftueshëm kohë që të mërkurën, më 2 korrik, të shfaqen në dyqanet “Botigues del Barça” pafund fanella me numrin 10 dhe emrin e Lamine Yamal të stampuar në shpinë, duke nisur kështu një verë me shitje masive. Brenda klubit blaugrana tashmë janë duke “fërkuar duart”…