Anglezët në grup me Shqipërinë, i kushtojnë vëmendje Anis Mehmetit

Adriatik BALLA
Shqipëria luajti dy ndeshjet e para në kualifikueset e Kupës së Botës, në kuadër të grupit K për zonën europiane, ku fillimisht humbi me Anglinë 2-0 dhe më pas fitoi me Andorrën me shifrat 3-0, duke marrë kështu 3 pikë në dy takimet e para. Por kuqezinjtë kanë një grup të vështirë, pasi, veç Anglisë, në grup janë edhe Serbia dhe Letonia, dy ekipe të forta, sidomos serbët, me të cilët na presin dy ballafaqime të forta.
Tani që janë luajtur dy takimet e para, e kur u mësua se anglezët janë dukshëm superiorë në grup, media të ndryshme britanike i kanë kushtuar rëndësi kontigjentit të lojtarëve shqiptarë, duke vënë na pah kualitetin që ka Anis Mehmeti, lojtar që aktivizohet me Bristol Sitin në Angli, e që sipas specialistëve anglezë i duhet formacionit të Shqipërisë dhe mund të jetë ai “asi” i munguar në formacionin e Silvinjos. Ndërkohë, në Rusi Mirlind Daku vijon të jetë i dëmtuar dhe këtë e shprehur edhe trajneri i Rubin Kazanit. Sulmuesi kuqezi po kalon momente të vështira, por po bën përpjekje për rikuperim.
Mehmeti, “asi” i munguar për Shqipërinë
Anis Mehmeti është një nga emrat më të lakuar në kategorinë e dytë angleze. Loja dhe golat e tij kanë ndihmuar Bristolin të jetë në garë për një vend në zonën “play-off”, ku pakkush e mendonte se do të ishte në këtë pikë të sezonit. Por me mbylljen e këtij edicioni, sido që të jetë, për anësorin e sulmit shqiptar dhe për klubin do të vijë një moment vendimtar, Mehmeti do të nisë vitin e fundit të kontratës së tij me Bristolin dhe i duhet të marrë vendimin nëse do të rinovojë, apo nëse do të largohet nga kjo skuadër, e cila kërkon të luajë shanset për ngjitjen për herë të parë në histori në Premier Ligë. Ish-futbollisti anglez,
Devid Pruton, i cili është aktualisht një opinionist sportiv, ka theksuar se çdo gjë është në varësi të Mehmetit, pasi me formën që po kalon dhe interesimin që ka për të, është e sigurt se do të ketë të ardhme në futbollin e rëndësishëm, sido që të vendosë. “Anis Mehmeti bëri lëvizjen te Bristoli që ishte fantastike dhe tashmë po tregon frytet me 12 gola të shënuar në Championship në këtë sezon. Ai është 24-vjeçar dhe mund të shkojë drejt fundit të kontratës. Mendoj se po zhvillohet mirë nën drejtimin e Maning. Bristoli ka një mundësi të shkojë në gjashtëshen e parë dhe kjo situatë mund të ndikojë. Por të krijohet ndjesia se duke parë aftësitë dhe qasjen e Mehmetit, topi është qartësisht në fushën e tij dhe kjo i jep më shumë fuqi vendimi”, shpjegoi ish-futbollisti anglez.
Daku probleme dëmtimi
Mirlind Daku po i mungon Rubin Kazanit për shkak dëmtimi. Sulmuesi që luan në Rusi nuk ia doli as t’i bashkohet Kombëtares për ndeshjet e marsit. Trajneri i Rubin Kazan, Rashid Rakimov, ka folur disa ditë më parë për situatën e Dakut. “Dëmtimi është shumë i pakëndshëm. Mendoj se do të ketë nevojë për ndërhyrje të vogël. Do ta diskutojmë me doktorët”, tha Rakimov duke shqetësuar tifozët. Trajneri i Rubin Kazan, u pyet po ashtu sot nëse ka një kohë për rikthimin e tij. “Ka punuar individualisht. Ta shikojmë si do të rikuperohet. Luan gjithashtu me ilaçe kundër dhimbjeve. Të gjithë kanë një dëshirë. Të shikojmë çfarë do të ndodhë”, u shpreh 60-vjeçari.