Adriatik BALLA
Kupa e Shqipërisë u kthye dje në vëmendje, pasi u luajt takimi i parë gjysmëfinal për këtë sezon, ai midis Vllaznisë dhe Dinamos. Para se të flasim për ndeshjen, e cila nuk prodhoi fitues, por u nda në barazim të thatë 0-0, duhet theksuar fakti se në Kupën e këtij sezoni janë në garë për titull katër ekipe që janë në garë edhe për kampionatin. Egnatia, Dinamo, Vllaznia dhe Partizani që kompletojnë top-4 në Kategorinë Superiore dhe do të shfrytëzojnë formulën “Final Four” për titullin, janë njëherësh kandidatë edhe për të fituar Kupën e Shqipërisë. Kjo e bën garën në dy fronte interesante dhe mjaft tërheqëse.
Vllaznia s’ia del me Dinamon
Vllaznia e priti Dinamon dje në Shkodër me entuziazëm, duke pasur dëshirë ta fitojë takimin. Por ndeshja, edhe pse u luajt e rivalizuar, nuk pati fitues, u mbyll me rrjeta të paprekura, me shifrat 0-0, një rezultat që i shkon përshtat Dinamos që do të jetë pritëse në ndeshjen e kthimit. “Nëndetëses” i ka interesuar që dje të mos humbiste dhe në këtë pikë ia doli, por gara për të shkuar në finale mbetet e hapur. Në takimin e ardhshëm, të dyja skuadrave u mjafton një fitore me një gol, por dukshëm dinamovitët do të kenë avantazh fushën.
Egnatia-Partizani, sot gjysmëfinalja e dytë
Sot në orën 19:00, do të luhet gjysmëfinalja e parë mes Egnatias dhe Partizanit. Takimi do të thotë shumë për të dy ekipet, kjo pasi Egnatia synon të përsërisë suskesin e vitit të kaluar ku i fitoi të dy trofetë, kurse Partizani, i gjendur në pozita të dobëta në kampionat, synon të bëjë kthesë në Kupën e Shqipërisë, për më tepër që në pankinë ka ardhur një teknik motivues si Skënder Gega.
Daja: Këto lloj ndeshjesh nuk duhen humbur
Trajneri i Dinamo Sitit, Ilir Daja, theksoi pas takimit se ishte i kënaqur me lojtarët e tij dhe se në duele të tilla duhet bërë kujdes mos huumbasësh pasi nuk rikuperohet dot. “Në Shkodër dhe me Shkodrën luhet gjithmonë futboll. Ambienti dhe tifozët kanë qejf lojë të hapur. Dhe ne dëshirojmë të njëjtën gjë. Gjithmonë bëhet një lojë e mirë. Për të kaluarën, në këtë lloj spektakli arbitri duhet të jetë menaxher se ndonjë i rreptë që të përfundojë me 8 apo 7 lojtarë. Sot ishte ndeshje që kemi bërë pjesë të parë goxha të mirë. Mund të shkonim drejt golit. Kishim probleme se Gudiabi ka hyrë me temperaturë. Po kujtoj se Itodo ka dy muaj që nuk luan. Dhe Aliji, sot në nxemje ka pasur probleme, ka luajtur me sforco. Me gjithë këto probleme që kemi, me gjithë rikuperimet që janë të rikuperuar, besoj se bëmë ndeshje të mirë në Shkodër, përballë Vllaznisë. Vetë Kupa nuk të lë shumë të gabosh. Është me system eliminimi, përveç rezultatit duhet të jesh në ekuilibër. Nuk ka më mundësi nëse bën hap të gabuar. Ndryshonte me ndeshjet e tjera se është diçka tjetër me eliminim”, theksoi Daja. Kurse trajneri i Vllaznisë, Thomas Bërdariç, pas ndeshjes tha: “Është një ndeshje shumë e fortë, me dy ekipe të mira në Shqipëri. Për mendimin tim kishim formacionin e duhur. Ishte ndeshje e fortë dhe e mirë. Në mënyrën taktike e dimë që kemi dy ndeshje, nuk donim të merrnim risk të madh dhe do provojmë gjithçka në ndeshjen e dytë”, tha ai.
“Paqe” mes Vllaznisë e Dinamos në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë
