Muçi në pritje të vendimit të Beshiktashit, i pavendosur edhe trajneri Solskjaer

Adriatik BALLA
Sulmuesit e Kombëtares kanë marrë kritika të shumta gjatë muajve të fundit, pasi nuk arrijnë të bëjnë diferencë në ndeshjet e përfaqësueses, qofshin duele miqësore apo zyrtare. Ishin dobët në Ligën e Kombeve, e vijojnë të jenë dobët edhe në kualifikueset e Botërorit. Manaj, Broja, Daku, Asani, Muçi e Uzuni nuk kanë prodhimin e duhur në repartin ofensiv, ndaj dhe trajneri Silvinjo duket i stresuar rreth objektivave të grupit. ndërkohë, të gjithë këta lojtarë ( me përjashtim të Uzunit i cili është stabilizuar në Amerikë), po kërkojnë klub për sezonin e ri, me shpresën se do të jenë titullarë. Ditët e fundit vëmendjen më të madhe e ka marrë Broja që shihet larg Çelsit, kurse dyshja sulmuese në Turqi, Manaj-Muçi, po shqyrtojnë ofertat.
Muçi gjithnjë e më larg Beshiktashit
Sikurse vënë në dukje edhe mediat sportive, e ardhmja e Ernest Muçit shfaqet larg Beshiktashit. Sulmuesi i Kombëtares është lidhur mjaft shpesh në ditët e fundit, për një rikthim të bujshëm te Legia e Varshavës. Fillimisht mendohej me formulën e huazimit, por gjërat kanë ndryshuar tashmë. Beshiktash është i interesuar për Maksi Ojedele te Legia dhe Muçi mund të përfshihet në shkëmbim. 20-vjeçari polak luan në mesfushë dhe është produkt i akademisë së Mançester Junajtid. Në sezonin e parë te Legia ka spikatur me aftësitë e tij. Te Beshiktash pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha për Muçin. Te 24-vjeçari u krijua një presion, kur e gjithë skuadra nuk bënte mirë. Beshiktash do të ketë disa ndryshime në ekip dhe zërat e bëjnë Muçin një prej tyre.
Ibra kosovar kalon tek Heidenheimi
Sulmuesi kosovar, Arijon Ibrahimoviqi, është kthyer në Gjermani. Ibrahimoviqi është huazuar te skuadra e Heidenheimit për sezonin e ardhshëm të Bundesligës 2025/2026. 19-vjeçari është huazuar nga skuadra tjetër gjermane, Bajerni. “Jemi të kënaqur që Arijon Ibrahimoviq, talenti i radhës i kampionëve, na ka zgjedhur tani. Ari është një lojtar sulmues i gjithanshëm që besojmë se do të bëjë hapin tjetër në karrierën e tij në Bundesligë sezonin e ardhshëm. Me të, duam të mbushim boshllëkun në sulmin tonë që do të lindë pas largimit shumë të mundshëm të Paul Vaner”, thotë anëtari i klubit gjerman, Holger Sanvald. Ibrahimoviqi u lind në Nuremberg. Hapat e parë si futbollist i mori te Greuther Furthi. Luajti edhe për të rinjtë e Nurembergut në vitin 2014, ku kaloi gjithsej katër vjet.
Në moshën 12-vjeçare Ibrahimoviqi iu bashkua akademisë së Bajernit. Në moshën 17-vjeçare, bëri debutimin e tij në Bundesligë. Por u huazua në shtator të vitit 2023 në Itali për një vit, ku bëri 16 paraqitje në Serie A për Frosinonen. Pasi u kthye në Bajern një vit më parë, ai u huazua përsëri në Itali – këtë herë te Lacio. Megjithatë, ai bëri vetëm dy paraqitje për Romën gjatë kësaj kohe. “Ditët e fundit kanë qenë bisedime shumë pozitive me Holger Sanvald dhe Frank Shmidt, të cilët më kanë bindur se Heidenhemi mund të jetë pikërisht klubi i duhur për mua në këtë moment. Jam edhe më i emocionuar që do të luaj për Heidenheimin në Bundesligë sezonin e ardhshëm”, tha Ibrahimoviq. Ibrahimoviqi shqiptar ka luajtur dy ndeshje për Gjermaninë U20. Ka luajtur edhe për grupmoshat tjera të reja të Gjermanisë.