Atalanta shfaq interesim për Asllanin, Broja mbetet “në ajër” te Çelsi

Adriatik BALLA
Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po shohin mundësinë e lëvizjes në merkato, duke tentuar të bëhen pjesë e ndonjë skuadër me emër në top-ligat europiane, ndërkohë që disa sinjale për Asllanin, Ismajlin, Gjimshitin, Brojën, Manajn dhe Dakun janë dhënë. Situata duket pozitive pasi ka interesime, por deri tani nuk ka një lëvizje konkrete të bujshme për asnjërin prej tyre. Një pjesë janë me “valixhe” në duar, sikurse është Broja, që Çelsi e ka të garantuar se do ta shesë ose huazojë, por prapë mungon emri i skuadrave ku do të transferohen. Sidoqoftë, diskutimet vazhdojnë dhe menaxherët po shohin mundësitë financiare që janë parqitur në treg.
Asllani pret sinjalin e largimit
Kristjan Asllani raportohet drejt largimit të sigurt nga Interi. Akoma nuk dihet nëse do të jetë në formë huazimi, apo transferimi të përhershëm diku tjetër. Atalanta është shfaqur së fundmi pas mesfushori të Kombëtares shqiptare. Skenari është i qartë tek Atalanta dhe bëhet fjalë për Ederson. Ky i fundit tregohet si dëshirë për skuadrën e Kristian Kivu. Për të arritur transferimin, që është i vështirë pasi Atalanta kërkon 60 milionë euro, në lojë futet Asllani. “Corriero di Bergamo” e raporton mesfushorin shqiptar me vlerë 14 milionë euro dhe si profil të nevojshëm për skuadrën e Ivan Juriç. Mbetet për t’u parë si do të reagojnë palët. Kujtojmë se më parë Asllani ka qenë dëshirë e Gasperinit, por pa arritur në diçka konkrete.
Broja vijon të jetë te Çelsi, por me “valixhe” në duar
E ardhmja e Armando Brojës do të jetë larg Çelsit. Për sulmuesin e Kombëtares shqiptare nuk ka vend në skuadrën e Enzo Mareskës, ndërsa klubi kërkon të përfitojë të ardhura. Janë gjashtë lojtarë, nga të cilët pritet transferimi diku tjetër. Bëhet fjalë për Sterling, Çiluell, Dizasi, Veiga, Çukuemeka dhe Broja. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka qenë pafat për shkak të dëmtimeve. Interesimet për të nuk ka munguar, madje nga disa klube me zë në Europë. Dhe pse gjithçka duket drejt fundit, sërish nuk përjashtohet mundësia e një tjetër huazimi. Për herë të fundit ishte pjesë e Evertonit.
Xhemaili kalon tek klubi i madh holandez PSV Eindhoven
Futbollistet shqiptare po marrin prioritet në shumë klube europiane, duke dëshmuar se edhe futbolli i femrave do të ketë progres. Kështu, Riola Xhemaili ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2028 me skuadrën holandeze, PSV Eindhoven. Futbollistja e Zvicrës luajti si huazim tek Eindhoveni sezonin e kaluar. Ajo ishte huazuar nga Ëolfsburgu i Gjermanisë. Por ekipi gjerman vendosi ta shesë kartonin e Xhemailit. 22-vjeçarja ishte një nga lojtaret më të mirë. Luajti të gjitha ndeshjet e edicionit të kaluar nga minuta e parë. Shënoi 14 gola dhe asistoi gjashtë herë në 26 ndeshje për PSV-në. “PSV-ja u bë shpejtë si shtëpi për mua. Kjo për shkak të njerëzve brenda klubit, ambienteve, por edhe për shkak të qytetit dhe vendit. Pas disa muajsh e kuptova se dua të luaj përsëri këtu vitin tjetër. Kështu që nuk do të jetë surprizë për shoqet e mia të ekipit që tani do të qëndroj përgjithmonë. Jam jashtëzakonisht e lumtur që gjithçka”, ka thënë Xhemaili për faqen e klubit holandez.