Me Theo Hernandez mbyllet epoka e Milanit kampion të Piolit. Reziston Leao, të tjerët drejt largimit

Me largimin e Theo Hernandez drejt Arabisë Saudite (e pret Simone Inzaghi tek Al Hilal), Milanit kampion i epokës së Stefano Piolit i vjen pothuajse fundi. Sidomos nëse hedhim sytë te formacioni titullar i atij sezoni. I vetmi, ende vërtet pjesë e projektit kuqezi, është Rafael Leao.
Pikërisht portugezi që, bashkë me Theon, formonte një dyshe shkatërruese në krahun e majtë. Në të vërtetë, edhe Maignan dhe Tomori ishin dhe janë ende aty, por për sa kohë? Të dy mund të largohen nga “Milanello” në javët e ardhshme.
Nëse e zgjerojmë analizën dhe marrim parasysh të gjithë skuadrën, në sezonin 2021-2022, fanellën e Milanit e vishte edhe Matteo Gabbia (për vetëm 8 paraqitje në atë edicion), si dhe Zlatan Ibrahimovic, i cili sot ndodhet pas një tavoline në zyrat e “Via Aldo Rossi”.
Ndërkohë, disa nga protagonistët e asaj gare kokë më kokë me Interin do të rikthehen te Milani këtë verë. Mes tyre janë Bennacer, Pobega dhe Saelemaekers. Ky i fundit duket i destinuar të gjejë hapësirë edhe nën menaxhimin e ri të Allegrit, falë aftësisë së tij për t’u përshtatur në role të ndryshme.
Ishte vetëm tri vite më parë, por duket si një epokë tjetër. Milani e ka ndryshuar totalisht fytyrën. Në fushë, siç është theksuar gjerësisht, por edhe në drejtim. Drejtuesit kanë ndryshuar, ndoshta edhe ndjeshmëria ndaj kauzës kuqezi nga disa protagonistë.
E pamundur të mos përmendet Maldini dhe Tonali, faktorë kyç në fitimin e titullit, por më pas të sakrifikuar. Njëri për të financuar merkaton, tjetri për zgjedhje të pronësisë. Dy vendime që e kanë kthyer Milanin pas në kohë.