Adriatik BALLA
Lojtarët e Kombëtares kuqezi po shqyrtojnë në këtë moment ofertat e ardhura në adresë të tyre dhe dëshirojnë të bëjnë përzgjedhjen para se të nisë sezoni i ri, në mënyrë që të kenë kohë të përgatiten me skuadrat që pëlqehen. Natyrisht, jo të gjithë do të mund të gjejnë superskuadra për sezonin e ri, por për disa lojtarë ofertat e mbërritura deri tani tregojnë se kanë një potencial në rritje dhe mund të luajnë në nivele të larta e me klube të njohura në top-ligat europiane.
Një nga futbollistët që po përpiqet të gjejë veten në këtë periudhë është Armando Broja, por me valixhe në duar është dhe mesfushori Kristjan Asllani. Ndërkohë, për kapitenin Berat Gjimshiti kanë mbërritura oferta joshëse nga sheikët arabë në kampionatin saudit, e madje dhe ligat e Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Por dje vëmendjen e mori një tjetër lojtar kuqezi, sulmuesi Mirlind Daku, për të cilin solli befasi qëndrimi i klubit të tij, Rubin Kazan.
Daku drejt rinovimit me Rubin Kazan
Mirlind Daku po shijon në këto ditë pushime të tij të verës në Shqipëri. Por paralelisht, përfaqësues të tij po diskutojnë për të ardhmen e lojtarit, që do i garantojë fitime marramendëse, cilado qoftë zgjedhja e tij. Pak ditë më parë, Daku ishte në bisedime me Zenit Shën Petersburg, por marrëveshja dështoi. Tani, mediat ruse bëjnë të ditur se Dinamo e Moskës është gati të hidhet në sulm për sulmuesin shqiptar, duke i ofruar shifra të rëndësishme lojtarit i cili është nën kontratë me Rubin Kazan edhe për një tjetër vit. Referuar mediave sportive në Kosovë, të cilat citojnë mediat sportive ruse, lojtari është në bisedime intensive me drejtuesit e klubit të tij për një zgjatje të kontratës që përfshin kushte financiare të përmirësuara.
Oferta e re
Por ofertën më të mirë ai e ka marrë pikërisht nga Rubin Kazan për momentin, me disa shifra që nuk janë dëgjuar ndonjëherë më parë për një futbollist të Kombëtares shqiptare. Mediat ruse bëjnë të ditur se Rubin Kazan i ka propozuar Dakut rinovimin në vitin 2029 me një pagë shumë më të lartë se sa e ka aktualisht. “Sport Baza” shpjegon se atij i është propozuar një rrogë vjetore prej 200 milionë rublash (rreth 2,2 milionë euro), me një bonus besnikërie prej 150 milionë rublash (1,6 milionë euro) në çdo vit që vazhdon bashkëpunimin me klubin. Me pak fjalë, më shumë se 3,8 milionë euro në vit për futbollistin shqiptar nëse i shkon deri në fund kontratës që i propozohet. Përfaqësuesit e futbollistit kanë marrë këtë propozim nga Rubin Kazan dhe po e shqyrtojnë me lojtarin paralelisht me ato që i ofrohen nga klube të tjera pasi është përfolur se për të ka interes edhe nga Turqia e Itali.
Kombëtarja
Daku mbetet një zgjedhje e vazhdueshme e Silvinjos në grumbullimet e përfaqësueses, por në ndeshjet e fundit nuk është preferuar shumë minuta në fushë, në të dy ndeshjet, si me Serbinë dhe me Letoninë, që u luajtën në qershor në kuadër të eliminatoreve të Botërorit, grupi K, ai luajti pak minuta në fund të secilit takim.
Daku merr ofertën e papërballueshme nga Rubin Kazan, flitet për pagë 2.2 mln euro në vit
