Më 21 Qershor nisi zyrtarisht Red Bull Spike në Golem, një event që rikthen emocionet e volejbollit të plazhit me adrenalinë dhe spektakël të garantuar. E konsideruar si një nga garat më të pritura të verës, Red Bull Spike mblodhi 16 skuadra nga e gjithë Shqipëria, të cilat hynë në fushë me një qëllim të vetëm: të shpallen kampionë të këtij edicioni.
Gjatë ditës së parë u zhvillua faza eliminatore, ku ndeshjet sollën jo vetëm përballje të forta, por edhe sfida teknike. Kalimi nga volejbolli “indoor” në rërë ndryshoi të gjithë dinamikën e lojës, duke e bërë gjithçka më të vështirë dhe më kërkuese fizikisht.
Gjyqtarët e Federatës shqiptare të volejbollit gjykuan çdo ndeshje duke qenë të drejtë dhe transaprentë në çdo pikë.
Djem dhe vajza, të rinj me talent dhe emra të njohur të volejbollit shqiptar, dhanë maksimumin për të kaluar në fazën e radhës. Çdo pikë ishte e luftuar, çdo set me rëndësi, dhe entuziazmi i publikut i dha energji çdo aksioni në fushë.
Në përfundim të ditës së parë, 8 skuadra siguruan biletën për në çerekfinale.
Niveli i lojës u rrit, tensioni gjithashtu. Emrat e mëdhenj nisën të spikasnin, por nuk munguan as surprizat që trazuan pritshmëritë. Loja u bë më taktike dhe më intensive, ndërsa skuadrat më të mira kërkuan vendin e tyre në gjysmëfinale. Të dielën, më 22 qershor, u zhvillua finalja e madhe e cila u albitrua nga Federata Shqiptare e volejbollit.
Pas dy ditësh garë intensive, kampionati u mbyll me emocion dhe spektakël. Në fund të edicionit, vendin e parë e mori ekipi nga Kosova, që përfaqësohej nga Erion Bajrami, Valmira Ramadani, Loresa Avdyli dhe Ermal Maliqi. Në vend të dytë u rendit ekipi Bicheet, ndërsa vendi i tretë shkoi për Ekipin Plazhistët./vizionplus.tv
