Victor Osimhen është kthyer në shtëpi, në Nigeri, për t’u çlodhur dhe rifituar energjitë, por edhe për të bërë bamirësi. I buzëqeshur, i qetë, mes mbrëmjeve me miqtë, ndalesave në vendet e fëmijërisë dhe dashurisë së një populli që e adhuron, ajri i shtëpisë, me pak fjalë. Emri i tij vazhdon të jetë në qendër të merkatos së Napolit, që pret vetëm shitjen e tij për të zhbllokuar disa operacione të tjera.
Nuk do të shkojë te Liverpool-i, as te Juventusi dhe as te Galatasaray. E ardhmja duket gjithnjë e më shumë e orientuar drejt Arabisë Saudite. Drejt Al Hilal, që i ka vënë përpara një ofertë marramendëse: kontratë 3-vjeçare me 40 milionë euro neto në sezon, me opsion për vitin e katërt, për një total prej 160 milionë eurosh në 4 vite. Propozim i çmendur, që do ta bënte një nga futbollistët më të paguar në botë.
Dhe mbi të gjitha, një rrugëdalje konkrete për Napolin, që shpreson të arkëtojë 75 milionët e klauzolës së largimit, të vlefshme për jashtë Italisë, çelësi për të kompletuar revolucionin në sulm. Largimi i tij nga Napoli mezi pritet jo vetëm për arsye teknike, por edhe ekonomike. Të çlirohet nga paga e tij dhe të marrë një shumë të rëndësishme do t’i lejonte klubit të De Laurentiis të vepronte pa shumë kufizime në merkato. Megjithatë, fjala e fundit i takon gjithmonë atij, Victor.
Sulmuesi dje mori pjesë në Lagos në një ndeshje bamirësie të organizuar nga fondacioni i “William Troost-Ekong”, kapiteni i kombëtares nigeriane, me të kaluar në Itali mes Udineses dhe Salernitanës, por që tani luan në Arabinë Saudite (Al Kholood). Pikërisht ajo Arabi Saudite, të cilës Osimhen i kishte thënë “jo” në fillim të muajit, kur Al Hilal ishte gati të paguante klauzolën për ta marrë në Botërorin e Klubeve me Simone Inzaghin.
Një vendim që e ka ngrirë merkaton, duke zgjatur pritjen e Napolit dhe bërë gati të padurueshme për Galatasaray, që do ta priste me krahë hapur. Zv.presidenti i klubit turk, Abdullah Kavukcu, ka qenë i qartë: “Po e presim. Koha jonë po mbaron. I kemi ofruar më shumë se klubet europiane”. Deklarata që kanë pasur jehonë. Galatasaray, sipas gjithë shtypit turk, i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Osimhen:
“Je prioriteti ynë për sulmin. Jemi marrë vesh me Napolin. Tani të takon ty. Duhet të marrësh një vendim sa më shpejt. Nëse kjo situatë zgjat, do të jetë problem për ne. Pas pushimeve të tua, ulemi dhe flasim. Ta përfundojmë këtë çështje, pozitive ose negative qoftë”.
Përgjigjja, deri tani, ka mbetur pezull në erërat e një vere afrikane. I intervistuar nga një kanal YouTube në Nigeri disa ditë më parë, Osimhen nuk ka dhënë asnjë shenjë: “Për momentin jam i fokusuar te pushimet, po pushoj. Do të shohim çfarë do të ndodhë”. Pra, asnjë e dhënë, asnjë konfirmim. Vetëm një e vërtetë e nënkuptuar: koha po mbaron, por mesa duket jo për të. Po mbaron për Napolin, për Galallatën, për arabët.
Pritja nuk mund të zgjasë edhe shumë, por nëse Osimhen do të pranojë ofertën saudite, atëherë dera do të hapet. Nuk do të ketë më nevojë për negociata, as për pazare. Klauzola prej 75 milionësh flet qartë. Do të mjaftojë një transferim bankar, ose pagesa me këste, për të shkruar fjalën “fund” mbi një histori që ka qenë e bukur dhe fitimtare, por është konsumuar me kalimin e kohës.
Osimhen merr ofertë stratosferike nga Al Hilal i Inzaghit, disa klube mbeten “peng” i tij
