Pogba: Kërkova ndihmë te Juventusi, por më injoruan. Vëllai im? Më ka lënduar

Paul Pogba rrëfehet me zemër të hapur në programin “Sept à Huit”, duke kujtuar dy traumat që kanë tronditur jetën e tij: tentativën për zhvatje, ku u përfshi edhe vëllai i tij, Mathias, dhe pezullimin për doping. Kampioni i botës 2018, që tani pret të rilindë te Monaco, nuk ka shmangur asnjë temë. Këto janë deklaratat më të rëndësishme të tij, duke nisur pikërisht nga çështja e zhvatjes:
“Janë gjëra të trishtueshme. Ke njerëz në zemrën tënde, të ashtuquajtur ‘vëllezër’, sepse kështu i quajmë të gjithë ata me të cilët rritesh në lagje. Kjo më ka lënduar më shumë, sepse nuk mund ta imagjinoja kurrë një gjë të tillë”.
Paul Pogba ka kaluar një vuajtje të tmerrshme: “Kishte armë, njerëz me maska. Nuk ke kohë as të mendosh, thua ‘po’ për gjithçka. I kërkova ndihmë të vetmit që mund të më ndihmonte: Zotit, Allahut. Mund të vdisja, por nuk do t’i hidhja paratë kot”.
Vëllai i tij Mathias u dënua me tri vite burg, një prej të cilëve do ta kalojë në qeli: “Kemi folur mes nesh, me familjen. Lidhja e gjakut është lidhje gjaku. Vetëm koha do të japë përgjigjet. Është e vështirë, nuk është më si më parë. Nëse babai im do të ishte ende gjallë, asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur”.
Në lidhje me pezullimin për doping, emocionet janë të forta: “Më thanë që futbolli do të ndalej, që gjithçka kishte mbaruar. Katër vite pezullim në këtë mënyrë, pa më dëgjuar askush… Më duhej të largohesha nga Italia. Fëmijët e mi shkonin në shkollë afër qendrës stërvitore, e kaloja çdo ditë aty pranë. Ishte shumë e vështirë”.
Pogba fajëson edhe Juventusin, që nuk i dha më qasje në asnjë shërbim pas pezullimit: “Në atë kohë kërkova ndihmë, për shembull trajtime ose një përgatitës atletik, sepse isha ende pjesë e Juventusit. Sidoqoftë, nuk e mora as këtë. Nuk ishin të sjellshëm me mua dhe kjo gjë më goditi fort. Nuk e kuptoja, nuk isha në luftë me ta”.
Tani që pezullimi i është reduktuar në 18 muaj, këtij makthi po i vjen fundi dhe Pogba shikon përpara: “Jam gati mendërisht, gati fizikisht. Është vetëm çështje kohe”.