Dalma Maradona zbulon dhuratën më të çuditshme nga Diego: Ia ktheva babait dhe u zemërua…

Diego Armando Maradona ka tërhequr gjithmonë vëmendjen për personalitetin dhe karakterin e tij të pazakontë. Mes shumë historive që kanë mbetur në imagjinatën kolektive, vajza e tij shtoi edhe një tjetër. E ftuar në programin radiofonik “Perros de la calle” të “Urbana Play”, Dalma Maradona kujtoi ditën kur babai i saj u përpoq ta surprizonte me një dhuratë të veçantë dhe krejt të papritur.
“Isha 11 vjeçe, po ecja në rrugë dhe thashë: Sa e bukur kjo makinë. Si të thoja: Sa qen i bukur. Mungonin edhe dy muaj nga ditëlindja ime e 12-të. Erdhi ajo ditë, 2 prilli. Babai më telefonoi dhe më tha: Eja në servis, kam një surprizë për ditëlindjen tënde. Mund të ishte çdo gjë. Shkova dhe gjeta një ‘New Beetle. Sigurisht që ia ktheva. E pyeta pse duhej ta mbaja kur nuk mund ta përdorja, isha vetëm 12 vjeçe”.
Dalma vazhdoi tregimin e saj: “Babai tha se, meqë një herë i kisha thënë se ishte një makinë e bukur, kishte menduar të ma dhuronte. Kur i thashë që nuk mund ta ngisja, ai m’u përgjigj: Epo mirë, le ta ngasin shokët e tu. I thashë që ishin të gjithë në moshën time. Kur ia ktheva makinën, reagimi i parë i tij ishte: Je e keqe. Dhe akoma, më quajti mosmirënjohëse. Ia dorëzova çelësat. Dy muaj e gjysmë më vonë e kuptoi çfarë po bëja. Më kërkoi falje dhe tha se e kuptonte që më duhej diçka tjetër”.
Ndërkohë, pas anulimit të procesit të parë për shkak të skandalit me gjykatësen që po realizonte fshehurazi një dokumentar mbi çështjen, procesi për vdekjen e Diego Armando Maradonës pritet të rinisë në Argjentinë. Gjykata e Apelit në San Isidro, në provincën e Buenos Airesit, hodhi shortin të enjten, më 19 qershor, për të caktuar trupën e re gjykuese. Çështjen do ta trajtojë Gjykata Penale nr.3, e përbërë nga gjyqtarët Alberto Gaig, Alejandro Lago dhe Alberto Ortolani.
Palët tani kanë 15 ditë kohë për të paraqitur ndonjë kërkesë për përjashtime apo kundërshtime. Nëse nuk do të ketë pengesa, do të caktohet data e parë e seancës për paraqitjen e provave dhe listës së dëshmitarëve.