EURO U-21: Me një lojtar më pak për 70 minuta, Holanda eleminon Portugalinë favorite dhe shkon në gjysmëfinale

Holanda është gjysmëfinalistja e parë e Euro U-21, kompeticion i cili zhvillohet në Sllovaki. “Tulipanët” kanë mundur 1-0 Portugalinë, që konsiderohej si favoriti kryesor për të fituar këtë kompeticion.
Edhe pse luajtën për më shumë se 70 minuta me një lojtar më pak, holandezët e drejtuar nga ish-mbrojtësi i njohur që ka luajtur me Ajax, Milan e Barcelona, Michael Reiziger, jo vetëm që rezistuan, por në fund surprizuan, duke gjetur golin dhe duke siguruar kështu “biletën” për në gjysmëfinale.
Në minutën e 21-të, holandezët mbetën më 10 lojtarë, pasi Ruben van Bommel, mori kartonin e dytë të verdhë për 120 sekonda dhe la fushën e lojës. Në minutën e 30-të, “Luzitanët” patën shansin e artë për të kaluar në avantazh, por Geovany Quenda gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.
Ashtu si në pjesën e parë, edhe e dyta u dominua nga portugezët, por kur pritej që ndeshja të shkonte në shtesë, holandezët gjetën golin me Ernest Poku, në minutën e 85-të. Pavarësisht se portugezët u përpoqën deri në frymën e fundit për të barazuar shifrat, Holanda ruajti rezultatin dhe shkon në gjysmëfinale, aty ku ndeshet me fituesin e çiftit Angli-Spanjë, ndeshje që luhet sontë në orën 21:00.