Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar datat e fillimit për të gjitha kompeticionet futbollistike për sezonin e ri 2025–2026, ku vëmendja më e madhe shkon natyrisht te Superliga shqiptare, e cila do të nisë më 23 gusht 2025.
Ashtu si në edicionet e kaluara, elita e futbollit shqiptar do të zhvillojë javën e parë në fundjavën e fundit të gushtit dhe do të përfundojë më 24 maj 2026.
Në të njëjtën datë, 23 gusht, do të startojë edhe Kategoria e Parë, ndërsa Kupa e Shqipërisë do të fillojë më 1 tetor 2025, duke ruajtur formatin tradicional të garës.
Ndërkohë, FSHF ka konfirmuar se kampionati i futbollit për vajza do të nisë më 27 shtator 2025, për të përfunduar më 31 maj 2026, duke shënuar kështu edhe një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit të femrave në vend.
Pritet që në javët në vijim të zyrtarizohet edhe kalendari i plotë i ndeshjeve për të gjitha ligat, ndërsa ekipet kanë nisur tashmë përgatitjet për sezonin e ri që parashikohet të jetë shumë konkurrues.
Starton më 23 gusht / Ja datat zyrtare të sezonit të ri në Superligë
