Cikalleshi shkëputet nga Adanaspor, Asani merr ofertë nga një klub i njohur japonez

Adriatik BALLA
Ka lëvizje të shumta në lidhje me lojtarët e Kombëtares dhe ish-lojtarë kuqezinj që janë ende aktivë në nivel klubesh. Padyshim që ndonjërit prej tyre, që e ka deklaruar tërheqjen nga përfaqësuesja, po i vjen fundi i karrierës edhe në nivel klubesh dhe për kavajasin Sokol Cikalleshi duket se ka ardhur ky moment. Kështu, Cikalleshi, një prej emrave më të spikatur të sulmit kuqezi në dekadën e fundit, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist. Mediat sportive raportojnë se ky është vendimi aktual i sulmuesit kavajas, edhe pse një komunikim zyrtar ende nuk është bërë nga vetë lojtari. Cikalleshi e mbylli sezonin e fundit në Turqi, ku aktivizohej me skuadrën e Adanasporit, pjesë e ligës së dytë turke.
Megjithatë, përfundimi i aventurës nuk ishte ai që do të kishte dëshiruar sulmuesi: skuadra nuk arriti të siguronte mbijetesën në kategori dhe për pasojë edhe kontrata afatshkurtër e Cikalleshit, që ishte vetëm për 6 muaj, nuk u rinovua. Klubi turk kishte parashikuar mundësinë e zgjatjes së bashkëpunimit vetëm në rast të shpëtimit nga rënia, por kjo nuk ndodhi. Pas shumë vitesh karrierë mes Shqipërisë, Kroacisë, Turqisë dhe Arabisë Saudite, ku ka qenë pjesë e disa klubeve me peshë dhe ka qenë një emër i qëndrueshëm në listën e trajnerëve të Kombëtares, 34-vjeçari ka vendosur të mbyllë një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij. Me 60 ndeshje dhe 13 gola të shënuar me fanellën kuqezi, Cikalleshi do të mbahet mend si një prej sulmuesve më të rëndësishëm të brezit të tij.
Asani merr ofertë nga Jokohoma
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, duket se është pranë një aventure të re këtë verë. Siç bëjnë me dije mediat japoneze, 30-vjeçari kuqezi pritet të lërë skuadrën koreane të Guangju për t’u transferuar te Jokohama F. Marinos në kampionatin japonez. Për dy vitet e fundit, Asani ka luajtur në Korenë e Jugut, ku në 74 ndeshje me ekipin e Gëangju ka shënuar 23 gola dhe ka dhuruar 4 asiste. Tashmë sulmuesi i Kombëtares po bëhet gati për një aventurë të re në Japoni, ku do të kërkojë gjithashtu të rifitojë sërish besimin e trajnerit Silvinjo, për vendin e titullarit në ekipin e Shqipërisë.
Daku jashtë garës për sulmuesin më të mirë në Rusi
Mirlind Daku nuk është në mesin e tre pretendentëve për çmimin e sulmuesit më të mirë të Premier Ligës së Rusisë, bazuar në rezultatet e sezonit të kaluar. Zyra e mediave e Premier Ligës së Rusisë publikoi emrat e tre kandidatëve, njofton një medium rus. Në garë për sulmuesin më të mirë janë Xhohn Kordoba i Krasnodarit, Manfred Ugalde i Spartak Moskës dhe Artem Dzyuba i Akronit. Daku përfundoi i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit të kaluar të Premier Ligës ruse të futbollit. Me 15 gola, sulmuesi i Rubin Kazanit, ishte i dyti pas sulmuesit të Spartak Moskës, Ugalde, i cili kishte 17 gola. Por 15 golat e shënuar për Rubinin, nuk i kanë mjaftuar Dakut të zë vend në mesin e tre pretendentëve për t’u shpallur sulmuesi më i mirë në Rusi. Më herët është bërë e ditur se transferimi i Dakut te Zeniti dështoi për çështje financiare.