Adriatik BALLA
Kina po rritet shumë në basketboll, si për meshkuj dhe për femra, dhe disa basketbollistë të saj kanë shkuar me sukses deri në NBA amerikane. Ndërkohë, Zhang Ziju është basketbollistja e talentuar 18-vjeçare e Kinës që po i bën të gjithë për vete. Ajo debutoi për përfaqësuesen A të Kinës të premten e kaluar në fitoren bindëse ndaj Bosnjë-Hercegovinës, 101:55. Ndeshja ishte miqësore, ndërsa i shërbeu Kinës për përgatitje për Kampionatin e Azisë. Në ndeshjen e parë për ekipin më të mirë të Kinës, Ziju i kaloi në parket vetëm 12 minuta, ndërsa i realizoi 18 pikë e shtatë kërcime. Ishte më efikasja e ndeshjes. Ka disa vjet që Zhang Ziyu tërheq vëmendjen për shkak të gjatësisë.
Ajo është e gjatë të paktën 220 centimetra, ndërsa ka raportime të ndryshme për gjatësinë e saj deri në 226 centimetra. “Kjo është ndeshja e parë e saj si reprezentuese seniore. Paraqitja e Ziju na ka impresionuar. Shpresoj se do të luaj më shumë me të”, ka thënë Han Xu, basketbollistja kineze e gjatë 2.11 metra, që po ashtu shkëlqeu ndaj boshnjakeve. Zhang Ziju e ka luajtur ndeshjen e parë profesionale në moshën 14-vjeçare. Në finale të kampionatit kinez për të reja i realizoi 42 pikë e 25 kërcime. I kishte edhe gjashtë bllokada. U bë më e njohur verën e kaluar kur me Kinën arriti në finale të Kupës së Azisë U18. Ndonëse finalen e fitoi Australia, Ziju ishte më e mira e turneut me mesatare prej 35 pikëve për ndeshje. Nëna e saj, Ju Jing, ishte e gjatë 198 centimetra. Babai i saj, Zhan Yuquan ishte i gjatë 213 centimetra. Të dy kanë luajtur basketboll, por nuk kanë arritur nivelin që tashmë e ka vajza e tyre. Kina luajti miqësore me Bosnjë-Hercegovinën edhe të dielën.
Fitoi 124:57, ndërsa 18-vjeçarja i realizoi 16 pikë dhe shtatë kërcime. Sërish kaloi pak minuta në parket. “Ajo është lojtarja më e mirë që kam parë ndonjëherë. Është lidere në përfaqësuesen kineze”, ka thënë selektori i Bosnjë-Hercegovinës, Emir Halimiq. “Prezenca e saj dikton tempin e lojës. Pres që ajo të jetë edhe më e suksesshme me Kinën. Edhe pa Zhangun, Kina është shumë e fortë. Por me Zhangun është në nivel dukshëm më të lartë. Secili ekip në botë do të jetë në telashe përballë Zhangut dhe Kinës. Uroj që ajo të mbetet e shëndetshme dhe t’i sjellë vendit të saj shumë lavdi”. Sa herë që Zhang Ziju e merr topin në afërsi të koshit, kundërshtaret e kanë të pamundur ta ndalin, përkundër përpjekjeve. Ajo jep kontribut edhe në mbrojtje, ndërsa zakonisht shihet e buzëqeshur. Selektori i Kinës pret që Zhang Ziju ta udhëheqë përfaqësuesen drejt suksesit në Lojërat Olimpike të vitit 2028. Në Kampionatin e Azisë që mbahet muajin e ardhshëm, Kina është favorite.
Femra më e gjatë e basketbollit botëror, 18 vjeçarja kneze Ziju mahnit me performancën e saj
