David Beckham ka arritur një tjetër moment të rëndësishëm në jetën e tij. Ish-futbollisti i njohur anglez është emëruar “Kalorës i Perandorisë Britanike” nga Mbreti Charles III, një nderim që e bën zyrtarisht “Sir David Beckham”. Ky titull, i rezervuar për figura me ndikim të madh në shoqërinë britanike, është vlerësim për karrierën e tij sportive dhe angazhimin në shumë kauza bamirësie.
Emërimi u shpall në listën e dekoratave për ditëlindjen e monarkut, një traditë që nderon figura me ndikim në fusha të ndryshme. Beckham, i cili tashmë kishte marrë “Urdhrin e Perandorisë Britanike” (OBE) nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 2003, ngjitet në një rang më të lartë brenda sistemit të nderimeve britanike.
Për vite me radhë, emri i David Beckham ka qenë në listën e kandidatëve potencialë për kalorësinë. Ndikimi i tij në futboll, influenca në modë dhe biznes, si dhe angazhimi në fushën e bamirësisë, e kanë bërë atë një nga figurat më ikonike të Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, emërimi i tij ishte shtyrë për arsye të ndryshme.
Hera e parë kur emri i tij u mor seriozisht në konsideratë për këtë nderim ishte në vitin 2011, kur luajti një rol kyç në kandidaturën e Londrës për të pritur Lojërat Olimpike të vitit 2012. Angazhimi dhe përpjekjet e tij ishin vendimtare që kryeqyteti britanik të bëhej mikpritës i ngjarjes më të madhe sportive në botë.
Gjithsesi, një çështje e lidhur me shmangien e taksave në botën e sportit e dëmtoi imazhin e tij atë vit dhe i kushtoi mundësinë për t’u bërë kalorës në atë rast. Pavarësisht gjithçkaje, Beckham ka ruajtur një marrëdhënie të ngushtë me familjen mbretërore, lidhje që u forcua më tej pas ngjitjes në fron të Mbretit Charles III.
Ai është parë disa herë pranë monarkut, duke marrë pjesë në aktivitete zyrtare dhe nisma bamirësie. Në vitin 2024, Beckham u emërua ambasador i “King’s Foundation”, një organizatë e themeluar nga vetë sovrani, e përkushtuar ndaj edukimit dhe qëndrueshmërisë.
Së fundi Beckham ka shoqëruar Charles dhe Camilla në prestigjiozin “Chelsea Flower Show”, ngjarje e organizuar nga “Royal Horticultural Society” në Londër. Prania e ish-futbollistit në këto evente e forcon më tej imazhin e tij si një figurë me ndikim brenda rrethit mbretëror dhe dëshmon angazhimin në iniciativa me impakt social dhe mjedisor.
Kalorësia është një nga nderimet më prestigjioze në Mbretërinë e Bashkuar, e akorduar për ata që kanë dhënë kontribute të rëndësishme për vendin. Ky nderim ka rrënjë në Mesjetë dhe është zhvilluar deri në një simbol të ekselencës dhe shërbimit publik. Nga sot, ai do të njihet si “Sir David Beckham”, ndërsa gruaja e tij si “Lady Victoria Beckham”, duke forcuar edhe më shumë ndikimin e çiftit në shoqërinë britanike.
Pas marrjes së lajmit, pronari i Inter Miami shprehu emocion dhe mirënjohje. “Asnjëherë nuk e kisha imagjinuar ta merrja një nderim të tillë, – deklaroi ish-futbollisti, i rritur në një familje modeste në ‘East London’. – Të luaja për vendin tim dhe të isha kapiten i tij ka qenë privilegji më i madh i karrierës dhe, në thelb, një ëndërr fëmijërie që u bë realitet”.
Beckham theksoi gjithashtu angazhimin e tij të thellë për kauza bamirësie dhe dëshirën për të vazhduar të përfaqësojë Mbretërinë e Bashkuar në mbarë botën: “Jashtë fushës, kam pasur fatin të bashkëpunoj me organizata të jashtëzakonshme, që mbështesin komunitetet në nevojë dhe frymëzojnë gjeneratën e ardhshme”.
Në vitin 2025, Beckham mbushi 50 vjeç dhe e konsideroi këtë titull si një moment vërtet të veçantë në jetën e tij: “Jam jashtëzakonisht me fat që bëj punën që bëj dhe jam thellësisht mirënjohës që puna ime është njohur. Kjo më mbush me krenari. Është një nderim që më bën jashtë mase krenar, një moment shumë emocionues për ta ndarë me familjen time”.
Urimet për emërimin e tij si kalorës erdhën menjëherë. Disa prej tyre u ndanë në rrjetet sociale, përfshirë ato të Manchester United dhe kombëtares angleze. Victoria Beckham publikoi një mesazh romantik për bashkëshortin e saj David, pas nderimit.
Këngëtarja, që është me ish-futbollistin prej gati 30 vitesh dhe me të ka 4 fëmijë, e shoqëroi mesazhin në rrjetet sociale me një foto romantike, ku ajo e përqafon, ndërsa ai buzëqesh i lumtur pranë gruas së jetës së tij: “Ke qenë gjithmonë kalorësi im në armaturë të ndritshme, por tani është zyrtare. Sir David Beckham! Çfarë nderi, nuk mund të isha më krenare për ty.
Përkushtimi yt ndaj gjërave që kanë më shumë rëndësi, vendit tënd, punës tënde, pasionit tënd dhe mbi të gjitha, familjes tënde, nuk ka munguar kurrë. Mënyra si ke prekur kaq shumë jetë gjatë viteve me mirësinë dhe përulësinë tënde flet shumë për burrin që je dhe vazhdon të na frymëzosh çdo ditë. Por mbi të gjitha, jam kaq, kaq krenare që mund të të quaj timin. Të dua jashtë mase!”
Ky titull prestigjioz sjell me vete disa privilegje VIP të rezervuara vetëm për ata që marrin kalorësinë. Eksperti mbretëror Richard Fitzwilliams ka shpjeguar: “Kapela e Kalorësve Beqarë ndodhet në Katedralen e Shën Palit dhe ai ka të drejtë të kërkojë përdorimin e saj për dasma, pagëzime dhe shërbime përkujtimore. Si kalorës, ai gjithashtu ka të drejtën të kërkojë një stemë familjare, ndoshta do të ketë edhe topa të artë”.
Titulli i kalorësit nënkupton gjithashtu më shumë respekt dhe besueshmëri, gjë që mund t’i hapë atij dyer dhe mundësi të reja. Megjithatë, duhet theksuar: titulli nuk është i trashëgueshëm, kështu që fëmijët e tij Brooklyn, Romeo, Cruz dhe Harper nuk do të përfitojnë ndonjë titull apo status të trashëguar.
