Rafael Leao për Ronald Araujo. Sipas asaj që shkruan sot “Mundo Deportivo”, në Spanjë po flitet për një skenar befasues merkatoje që mund të lidhë Milanin me Barcelonën gjatë kësaj vere. Sipas të përditshmes katalanase, Milani do të ishte i gatshëm të ofronte kartonin e Leaos në këmbim të qendërmbrojtësit uruguajan, një lojtar shumë i pëlqyer nga Massimiliano Allegri për të forcuar mbrojtjen.
Nuk është hera e parë që Leao lidhet me Barcelonën, me Deco në kërkim të një përforcimi të madh në repartin ofensiv, pasi ka “sonduar” edhe Nico Williams me Marcus Rashford. Trajneri Hansi Flick ka kërkuar posaçërisht një anësor të majtë, por për t’i sjellë një emër të madh do të duhet më parë shitje e rëndësishme.
Kjo është arsyeja pse shitja e Ronald Araujos mund të jetë çelësi për ta bërë të realizueshëm operacionin. Megjithatë, këto zëra që vijnë nga Katalonja duhen marrë me shumë rezervë, duke parë qëllimin e Milanit për ta mbajtur Leaon dhe për ta marrë në konsideratë shitjen e tij vetëm në rast të një oferte të parefuzueshme.
Rreth portugezit, si drejtuesit, ashtu edhe Allegri, me kontratën e vlefshme për tri vite të tjera, duan të rindërtojnë projektin dhe ambiciet e kuqezinjve. Në javët e fundit ka pasur interesim serioz nga Bayern Munich, por Milani ka bërë menjëherë të qartë se nuk pranon shkëmbime, edhe pse janë përmendur emra të rëndësishëm si Kim apo Goretzka.
Pra, është i hapur vetëm për oferta ekonomike. Dhe jo thjesht oferta çfarëdo, për të nisur bisedimet kërkohen të paktën 100 milionë euro. Një kërkesë kaq e lartë tingëllon më shumë si sinjal “blindimi” sesa vullnet i vërtetë për shitje.
Rafa Leao për Araujo, hipoteza e çuditshme që qarkullon në Barcelonë
