Tirana ka statistika për të rënë nga kategoria, Elbasani shpresë për të kapur “Final Four”

Adriatik BALLA
Kategoria Superiore po vijon të luajë ndeshjet e xhirove të fundit të saj. Të dielën dhe të hënën u luajtën takimet e xhiros së 32-të, ku pati një ngjitje të shpejtë të Egnatias që përfitoi edhe nga ndalesa e rivalëve të saj, ndërkohë që ka një rivalitet të shtuar mes Elbasanit dhe Partizanit për një vend në top-4. Nga ana tjetër, rivaliteti më i madh është në fundin e tabelës, ku Bylis, Laçi, Teuta, Tirana dhe Skënderbeu luftojnë për të mos rënë nga kategoria dhe gara në fakt është e hapur. Por më e rrezikuara është skuadra e Tiranës, e cila po përsërit edicionin e vështirë të shumë viteve më parë kur ra nga kategoria. Krejt ndryshe ndodh me Partizanin, që është momentalisht në top-4, por po përpiqet të mbajë larg dhe jashtë “Final Four” Elbasanin.
Situata e vështirë e Tiranës
Tirana ka grumbulluar 32 pikë në 32 javë të luajtura, që e pozicionojnë të vetme në fundin e tabelës. Po aq pikë numëronte në të njëjtën kohë edhe në sezonin 2016/17, kur bardheblutë provuan për herë të parë në histori rënien në Kategorinë e Parë. Pas 32 javësh të luajtura, në vitin 2017, Tirana mbante vendin e tetë në Superiore. Numri i golave ka ndryshuar tërësisht nga ai sezon i errët. Në të njëjtën kohë si tani, bardheblutë shënonin 12 gola më pak. Pika e dobët duket të jetë mbrojtja, pasi këtë sezon kanë pësuar 11 gola më tepër. Tirana e këtij sezoni shquhet për barazimet e shumta. Plot 17. Në anën tjetër humbjet, por dhe fitoret, janë më të pakta se ato të sezonit 2016/17 pas 32 javësh.
Rivaliteti për një vend në top-4, Partizani e Elbasani duel deri në fund
Partizani dhe Elbasani po luftojnë për një vend në Final Four. Verdheblutë kanë përfituar nga forma e dobët e “demave” dhe prej dy javësh janë 4 pikë prapa. Secila skuadër ka avantazhet e saj në rrugëtimin e mbetur për muajin prill. Të kuqtë u gëzohen 4 pikëve që e mbajnë përpara, kur kanë mbetur dhe katër javë. E gjithë lufta është aktualisht për pikët dhe ato u buzëqeshin Partizanit. Në sfidat e mbetura për Superioren, vetëm një prej tyre është transfertë për Partizanin. Ndaj Bylisit, që i ka hapur mjaft punë Partizanit, do të luhet në Ballsh. Takimet e tjera i gjejnë të kuqtë në kryeqytet. Avantazh mund të quhet edhe ndeshja e fundit për “demat”. Në një nga rastet më të këqija, Partizani duhet të mposhtë Elbasanin në shtëpi.
Ndeshja për javën e 36-të të Superiores do të luhet mes tyre në “Arena e Demave”. Kurse verdheblutë e kanë moralin më lart se kurrë. Për ta dy ndeshje do të jenë në transfertë dhe dy të tjerat në shtëpi. Në rast se e meritojnë një vend në Final Four, duhet të bëjnë mirë pikërisht ndaj skuadrave që janë aktualisht pjesë e saj. Egnatia, Vllaznia dhe Partizani ndodhen në kalendarin e Elbasanit. Avantazhi i Elbasanit qëndron te fakti, që qëndrojnë më mirë se Partizani në përballjet direkte mes tyre. Nëse gjithçka do të jetë në baraspeshë para ndeshjes së fundit, atëherë Elbasani do të mjaftohej dhe me një barazim. Tjetër avantazh mund të quhet kalendari i ngjeshur i “demave” apo derbi që nuk mund të parashikohet për të kuqtë ndaj Tiranës. Partizani ka dy ndeshje më tepër për të luajtur në Kupë, gjatë kohës që Elbasani do të jetë i fokusuar vetëm te kampionati