Adriatik BALLA
Trajneri Silvinjo vijon të marrë kritika të shumta në media dhe rrjetet sociale pas dy barazimeve të fundit të Shqipërisë në grupin K eliminator për finalet e Botërorit të vitit 2026. Barazimi me Serbinë nuk ishte fundi i botës, por më shumë trajnerin e “vrau” barazimi ndaj Letonisë, ku skuadra në fushë nuk tregoi as futboll cilësor e as nuk përmbushi ndonjë objektiv në rezultat. Në këto kushte, analizat që kanë bërë specialistët kanë nxjerrë “zbuluar” Silvinjon, pasi zgjedhjet e tij dukshëm çalonin dhe këtu nuk ka vend për justifikimin që vjen si pasojë e disa mungesave të rëndësishme në mbrojtje.
Shkurt, Silvinjo ka nisur të çedojë në krye të skuadrës, ka probleme organizimi, por me sa duket edhe të seleksionimit të formacionit, pasi angazhon dhe u jep besim lojtarëve që nuk gëzojnë formën më të mirë dhe vijnë nga dëmtimet, si Manaj, e lë në stol prej shumë kohësh Muçin e Asanin, apo dhe ndonjë tjetër, duke mos i marrë skuadrës më të mirën e vet. Listës së gjatë të specialistëve që kritikuan Silvinjon i shtohet së fundmi edhe një prej ikonave të futbollit tonë, Sokol Kushta, që e sheh analizën e tij edhe në një plan më të gjerë, pasi Silvinjo tregoi shenja arrogance pas ndeshjes me Letoninë, duke u kapur me gazetarët etj.
Qëndrimi i Sokol Kushtës
Në postimin e tij Sokol Kushta tregohet i drejtpërdrejtë dhe kritik me Silvinjon. “Mbas barazimit të paralajmëruar në Riga, duhet se s’bën një reflektim nga të gjitha strukturat që merren me kombëtaren. Në momentin kur doli formacioni, diskutoja me bashkëlojtarë të mi që sot trajneri sikur s’do të fitojmë, dhe argumenti është i thjeshtë. Filloi me formacionin më të keq të pjesës së parë me Serbinë, minus Hysajn që ishte lojtari më i mirë yni. Unë dhe shumë lojtarë të kombëtares na intereson kombi dhe kombëtarja jo kush është trajner, pasi janë me datë skadence. Dhe ky trajner bën veprime që unë nuk mundet t’i kuptoj. Kur Hysaj nuk loz mirë nuk e lëviz, kur Manaj është në gjendje të keqe fizike dhe psikologjike ai jo vetëm e rifut në lojë por e vë dhe kapiten. Kjo është kapriço e një arroganti që paguhet shumë për kombëtaren tonë.
Dhe në fund del kundër të gjithëve dhe thotë një sulmues bën dhe 4 gola (dmth ju s’dini nga taktika ime). Kur dhe tifozi më normal e kuptonte që ekipi kundërshtar ishte parkuar i gjithë në mbrojtje dhe duhet të loznim me Brojën, Dakun, Muçin në sulm. Me Hysajn djathtas dhe Mitajn majtas, pasi të dy e lozin mirë krahun. Shehun dhe Asllanin në qendër, si dhe tre mbrojtësat që kemi. Shumë e thjeshtë dhe do qe shumë efektive. Ndërkohë, Uzunin, Hoxhën me Bajramin dhe Ramadanin i kishe forca të gatshme për lojë. Por jo ndërrime në min e 80-të. Pa sens logjike. Silvinjo kur jep intervista nuk duhet të hajë kapriço me gazetarët dhe ish lojtarë të Kombëtares, me terma pa bazë futbolli, por me argumente dhe respekt. Po të qe në Brazil ose në një shtet tjetër trajner dhe të jepte ato përgjigje arrogante kundrejt ish lojtareve të kombëtares ose gazetarëve 24 orë nuk do të ishte më trajner, duhet reflektim”, shkruan Kushta në profilin e tij në rrjetin social facebook
Sokol Kushta shënjestron Silvinjon: Gaboi, i duhet një reflektim i thellë
