Juventusi, gjithçka për “blindimin” e Yildiz deri më 2030. Rinovim me gati trefishim page

13 Qershor 2025

10:30

Alfred Lleshi

Juventusi vijon strategjinë e tij për të vlerësuar dhe blinduar talentet e rinj, duke pasur parasysh të tashmen dhe të ardhmen e klubit. Ditën e djeshme u zyrtarizua rinovimi i kontratës së Nicolò Savona, i cili zgjati marrëveshjen e tij me “Zonjën e Vjetër” deri në vitin 2030, një vit më shumë krahasuar me afatin e mëparshëm.
Drejtori i ri i përgjithshëm, Damien Comolli, është tashmë në punë për disa çështje kyçe për të ardhmen e Juventusit. Kryesorja ka të bëjë me Kenan Yildiz, i konsideruar nga pronarët si pika e referimit e Juventusit të tashëm dhe të ardhshëm, por edhe si imazh marketingu, thekson sot “Corriere dello Sport”.
Pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, do të nisin negociatat për rinovimin e kontratës së Yildiz, e cila aktualisht skadon në vitin 2029. Synimi është të zgjatet deri më 2030, me një rritje të ndjeshme të pagës.
Aktualisht Yildiz përfiton 1.5 milionë euro, plus bonuse, ndërsa me marrëveshjen e re pritet të arrijë rreth 4 milionë euro në sezon. Një njohje konkrete për vlerën e tij dhe rolin qendror që do të ketë në projektin teknik dhe imazhin e Juventusit.