Tottenham zyrtarizon trajnerin e ri, do të debutojë në Superkupën e Europës ndaj PSG

13 Qershor 2025

8:24

Telesport

Tottenham ka emëruar Thomas Frank si trajner të ri, i cili firmosi një kontratë me Spurs deri në vitin 2028. 51-vjeçari danez është larguar nga Brentford pas shtatë vitesh mbresëlënëse.
Frank do të zërë vendin e Ange Postecoglou, që u shkarkua nga klubi edhe pse fitoi Europa League, trofeu i parë i Tottenham pas 17 vitesh.
Skuadra e Tottenham, në një deklaratë për mediat saktësoi: “Me Thomas ne po emërojmë një nga trajnerët më përparimtarë dhe inovativë brenda lojës”.
“Ai ka një histori të dëshmuar në zhvillimin e lojtarëve dhe skuadrës dhe ne presim që ai të udhëheqë ekipin ndërsa përgatitemi për sezonin në vijim”, thuhet në deklaratën e klubit londinez.
Thomas Frank mund të fitojë trofeun e parë të madh të karrierës së tij që në ndeshjen e tij të parë konkurruese në krye të klubit. Më 13 gusht, Tottenham do të luajë në Udine ndaj PSG për Superkupën e UEFA-s.