Sirena të reja të rëndësishme nga Arabia Saudite për Hakan Calhanoglu, mesfushorin e Interit, i cili tashmë prej muajsh ishte joshur nga milionat e “Saudi Pro League”. Risia, sipas “SportMediaset”, qëndron në faktin se lojtari tani është i hapur për të dëgjuar ofertat që vijnë nga Arabia.
Turku është i lidhur me Interin me kontratë deri në qershor të vitit 2027 dhe aktualisht ka një nga pagat më të larta në skuadrën zikaltër. Për këtë arsye, edhe Interi, nëse do të vinte një ofertë e rëndësishme për kartonin e tij, do të ishte gati ta dëgjonte.
Në këtë kontekst, është e pamundur të mos mendohet për Simone Inzaghin, trajnerin që e ka vlerësuar dhe rritur më shumë në këto vite dhe që tashmë është transferuar tek Al Hilal. Nuk përjashtohet një tentativë pikërisht nga klubi i drejtuar nga tekniku italian për kapitenin e Turqisë.
Ndërkohë, Interi pret dhe monitoron situatën, duke nisur paralelisht punën për të eksploruar alternativa. Emri i parë në listë, sipas “SportMediaset”, është ai i Nicolò Rovella, mesfushorit në pronësi të Lazios.
Për bardhekaltrit dhe trajnerin Maurizio Sarri ai është i paprekshëm, përveç rastit kur dikush paguan klauzolën e tij prej 50 milionë eurosh. Siç raportohet, Interi për momentin është në fazën e vëzhgimit, ndërkohë që Lazio po përpiqet ta rinovojë kontratën e tij.
Nisin tundimet nga Arabia Saudite për Calhanoglu, turku dhe Interi janë gati t’i dëgjojnë ofertat
