Asgjë e mbyllur. Pavarësisht se Maignan donte Chelsea dhe Chelsea donte Maignan (që tani, për Kupën e Botës për Klube), klubi anglez nuk ka arritur të gjejë marrëveshjen me Milanin për blerjen e portierit francez. Të paktën për momentin.
Dy klubet kanë zhvilluar bisedime intensive, duke qenë se dritarja speciale e merkatos, e krijuar posaçërisht për turneun e FIFA-s në SHBA, mbyllet më 10 qershor në mesnatë, me qëllimin për të gjetur një marrëveshje për shifrat e transferimit.
Maignan kishte njoftuar tashmë trajnerin e ri dhe drejtuesit se donte të transferohej në Londër, tani mbetet për t’u kuptuar nëse ekziston mundësia që ai të qëndrojë në Milano edhe pa rinovuar kontratën (e cila skadon më 30 qershor 2026, për të ikur më pas me parametër zero, verën e ardhshme), apo nëse do të kërkohet një zgjidhje tjetër.
Nuk përjashtohet gjithashtu që, përtej këtyre bisedimeve të nxehta të orëve të fundit për Kupën e Botës për Klube, Milani dhe Chelsea të ulen sërish në tavolinë për të negociuar me më shumë qetësi në javët në vijim.
Milani, pasi kishte refuzuar një ofertë të parë prej 15 milionë paundësh nga Chelsea, rifilloi kontaktet me klubin londinez, i cili paraqiti një ofertë të re prej 18 milionë paundësh (rreth 21 milionë euro), me synimin për ta pasur Maignan në dispozicion që për Kupën e Botës për Klube. Një propozim mbi të cilin drejtuesit e klubit kuqezi kanë reflektuar me kujdes, por në fund marrëveshja ka dështuar për shkak të distancës së madhe midis palëve.
Pas shitjes së Reijnders te Manchester City, me Theo Hernandez pranë kalimit te Atletico Madridi dhe me sirenat e Bayern Munich që tundon Rafael Leaon, situata e portierit francez, dhe njëkohësisht kapitenit të Milanit, mbetet pezull. Dëshira e tij për t’u larguar është e qartë, fakt me të cilin Milani duhet të përballet, pasi mbërritja deri në fund të kontratës, edhe nga pikëpamja ekonomike, nuk do të ishte aspak e leverdishme për “Djallin”.
Milani, asnjë marrëveshje me Chelsea për transferimin e Maignan
