Comolli konfirmon Tudor dhe Kolo Muani. Ndërkohë, Juventusi kërkon edhe dy drejtues të rinj

Damien Comolli ka marrë zyrtarisht drejtimin e Juventusit të ri. Një Juventus që është ende në proces ndërtimi dhe po përgatitet të pajiset me strukturë të re drejtuese. Ky ishte, ndër të tjera, një nga njoftimet e bëra nga drejtuesi francez gjatë konferencës për shtyp, ku u prezantua zyrtarisht para publikut në rolin e ri si drejtor i përgjithshëm i Juventusit.
Comolli dha edhe disa lajme interesante. Për shembull, ai konfirmoi që Igor Tudor do të jetë në pankinë, edhe pas Kupës së Botës për Klube, me synimin që të vazhdojë në detyrë gjatë gjithë sezonit 2025-2026:
“Dua të konfirmoj që Tudor do të jetë trajneri ynë për sezonin e ardhshëm. Ia kam bërë të qartë këtë edhe atij, po punojmë së bashku. Jemi një klub shumë i madh dhe ka shumë spekulime, por dua të theksoj se Tudor do të mbetet trajneri ynë”.
Gjithashtu, Comolli konfirmoi edhe qëndrimin e Kolo Muani: “Kemi arritur një marrëveshje me PSG për Kolo Muanin, që të luajë Kupën e Botës për Klube me ne. Nuk kemi gjetur ende një marrëveshje për sezonin e ardhshëm, por jam optimist se mund ta arrijmë, sepse PSG nuk e ka mbyllur derën dhe Kolo Muani dëshiron të qëndrojë me ne”.
Comolli më pas paralajmëroi edhe risi të rëndësishme në strukturën drejtuese të Juventusit: “Dua të punësoj një drejtor sportiv, që do të merret me transferimet dhe menaxhimin. Ai do të jetë i përfshirë në merkaton e lojtarëve, duke pasur një sy edhe tek sektori i të rinjve, dhe do të raportojë tek unë.
Do të kemi edhe një drejtor teknik, që gjithashtu do të raportojë tek unë. Janë dy role për të cilat kemi diskutuar tashmë, për të krijuar strukturën më të mirë. E kam në mendje personin e duhur, është një proces, por nuk duam të nxitojmë. Pasi të kemi përcaktuar strukturën, do të vendosim edhe emrat”.