Carlo Ancelotti do të marrë pjesë në Kupën e Botës. Ky, pas viteve me triumfe në krye të klubeve më të mëdha europiane, pas gjithë atyre Champions League të fituara, që mbushin vitrinën e tij, ishte një objektiv që ende i mungonte.
Brazili i tij, kombëtarja që mori në drejtim vetëm disa javë më parë, ia doli. Shpërndau makthet e nisjes së dobët në grup dhe siguroi kualifikimin për fazën finale, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Meksikë, SHBA dhe Kanada. Më tepër akoma, ia doli me dy ndeshje përpara fundit të kualifikueseve.
Vendimtar ishte rezultati 1-0, me të cilin Seleção mposhti Paraguajin në orët e vona të natës, falë një goli të Vinicius Junior. Kjo ishte ndeshja e parë në shtëpi e italianit si trajner i Brazilit. Në këtë mënyrë, Ancelotti siguroi matematikisht biletën për në Botëror, duke rikthyer qetësinë te 5 herë kampionët e botës.
Në “NeoQuimica Arena” të São Paulos, Brazili nuk bëri një paraqitje për t’u mbajtur mend, por fitoi. Vendosi një gol i realizuar në fundin e pjesës së parë nga Vinicius Junior, lojtari titullar si te Real Madridi i Ancelottit. Ai ishte perfekt në futjen në zonë pas një asisti të shkëlqyer nga Matheus Cunha.
Më parë, Brazili kishte kontrolluar ndeshjen, por pa krijuar shumë. Situata të rrëmujshme, të menaxhuara mirë nga mbrojtja e Paraguajit. Miqtë, nga ana tjetër, nuk rrezikuan asnjëherë.
Në pjesën e dytë, skuadra e Ancelottit e legjitimoi suksesin, duke iu afruar golit të dytë me Raphinha dhe Bruno Guimarães, të ndalur nga portieri Gatito Fernandez, ndërsa në mbrojtje rrezikoi shumë pak. Dhe në fund shpërtheu festa e madhe e kualifikimit.
Ancelotti çon Brazilin në Botëror. 1-0 ndaj Paraguajit, kualifikim matematik me dy ndeshje përpara
