Alcaraz fiton maratonën 5 orëshe ndaj Sinner dhe mbron kurorën e kampionit të Roland Garros

Pas 5 orësh e 30 minutash lojë, tenisti spanjoll Carlos Alcaraz mundi 3-2 në finale italianin Jannik Sinner, duke u shpallur kampion për të dytin vit radhazi në grand slam-in e Roland Garros. Në finalen e luajtur në Paris, numri 2 në botë mbron titullin fituar vjet.
Një ndeshje e jashtëzakonshme, ndër më të bukurat e dekadës së fundit, që ka si protagonistë dy tenistët më të mirë në botë, që dhuruan spektakël dhe emocione në fushë. Fitore me përmbysje e Alcaraz, që arriti të rikuperojë disavantazhin pas dy seteve të para.
Sinner fitoi 6-4, 7-6 dy setet e para dhe ishte shumë pranë fitores së ndeshjes. Ai kishte tri topa për ta fituar ndeshjen në setin e tretë por gaboi dhe e pagoi shtrenjtë. Alcaraz arrin të rikuperojë 6-4, 7-6, 7-6 tri setet e tjera, duke qenë “mbret” në fushat me dhè të Parisit.
Kjo ishte finalja më e gjatë e luajtur në historinë e Roland Garros dhe protagonistë të saj janë dy yjet e rinj të këtij sporti, që kanë fituar 5 grand slam-et e fundit (3 spanjolli dhe 2 italiani). Për Alcaraz ky është triumfi i pestë në karrierë në një grand slam, i dyti në Paris.
Kush kishte dyshime tashmë është i bindur se një epokë e re ka nisur në tenis dhe protagonistë do të jenë këta dy tenistë, që mund të thyejnë rekordet e legjendave.