BE nis heqjen graduale të masave ndaj Kosovës, priten hapat e radhës në varësi të situatës në veri

Qeveria në detyrë e Kosovës është në pritje që Bashkimi Evropian të fillojë zbatimin e hapave të parë drejt heqjes së masave ndëshkuese, përfshirë rifillimin e takimeve të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe projektet e asistencës teknike në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor. Këto projekte prekin fusha strategjike si energjia dhe infrastruktura.
Nga BE-ja është konfirmuar se procesi ka nisur, por heqja e plotë e masave do të varet nga një de-përshkallëzim i qëndrueshëm i tensioneve në veri të vendit. Këtë e ka theksuar zyrtarisht edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, duke shtuar se çdo hap i ardhshëm do të jetë i kushtëzuar me përparimin konkret në terren.
Heqja e pjesshme e sanksioneve është mirëpritur nga Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, i cili ka theksuar se masat janë vendosur padrejtësisht dhe duhet të hiqen sa më parë. Ai konfirmoi se ndër hapat e parë është rikthimi i funksionimit të nënkomiteteve të MSA-së dhe projekteve investuese të BE-së.
Ndërkohë, ish-diplomatja Alma Lama vlerëson se pavarësisht vullnetit të shumicës së vendeve anëtare të BE-së për heqjen e masave, Kosova duhet të lobojë më shumë dhe të shmangë ngërçin politik që, sipas saj, po dëmton besueshmërinë demokratike të vendit në sytë e Brukselit.
BE vendosi masat ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri. Sipas raporteve, Kosova ka pësuar mbi 300 milionë euro humbje për shkak të ndërprerjes së projekteve dhe mbështetjes financiare të bllokuar. Pavarësisht rekomandimit të ish-shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për heqjen e tyre, disa vende anëtare mbetën skeptike, duke kërkuar më shumë stabilitet nga autoritetet kosovare.
Përfaqësuesja e Lartë aktuale, Kaja Kallas, konfirmoi më 21 maj gjatë vizitës në Prishtinë se heqja e masave ka nisur gradualisht.