“Heqja e flamurit të UÇK-së është prekje e dëshmorëve, na dhemb zemra oj nanë Shqipni”

Pas heqjes së flamurit të UÇK-së nga stadiumi “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri–Serbi, ka reaguar ashpër Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Sipas saj, kjo ishte një fyerje të rëndë ndaj sakrificës së dëshmorëve dhe historisë së popullit shqiptar.
OVL e UÇK-së thekson se prekja e flamurit të UÇK-së është njësoj si prekja e gjakut të atyre që dhanë jetën për lirinë. Reagimi i plotë nga OVL e UÇK-së:
“Na dhemb zemra oj nanë Shqipni. Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre, preket liria për të cilën ata ranë.
Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë. Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip.
Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt,për ata që s’kërkuan asgjë, përveç lirisë sonë. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, jo me mllef, por me zemër të thyer, kërkon ndjeshmëri e kujdes,sepse kjo nuk është politikë, është kujtesë,dhe kujtesa është e shenjtë”.