7 Qershor 2025
12:10
Alfred Lleshi
Cristian Abbiati, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, komentoi rikthimin e Massimiliano Allegrit te Milani: “A zemërohej edhe në kohën time? Sigurisht. Ua thoshte gjërat në sy të gjithëve, edhe lojtarëve të mëdhenj, por pastaj nuk mbante mëri. Kur fliste, e bënte për të mirën e skuadrës”.
Në të kaluarën ka pasur disa përplasje mes Allegrit dhe Ibrahimovicit, por ish-portieri është i bindur se ato nuk do të kenë ndikim tani: “Është normale që të ketë përplasje mes lojtarëve dhe trajnerëve. Ndodh kur ke të njëjtin objektiv: të fitosh. Nëse në të kaluarën janë përplasur, ka pasur një arsye, por e rëndësishme është që të mos mbahet mëri. Nuk mendoj se do të ketë probleme për bashkëjetesën e tyre te Milani”.
Për kthimin në “San Siro”, Abbiati u përgjigj: “Këtë vit nuk kam qenë kurrë… Gjëja e parë që më tha Marco (Landucci) ishte: Të pres në Milanello. Do të shkoj me kënaqësi, sepse e vlerësoj shumë stafin e Allegrit, të përbërë nga profesionistë dhe njerëz të jashtëzakonshëm. Në veçanti jam mik me Landucci. Mendoni, që kur luaja përdorja dorezat e tij… Shpresoj ta shoh shpesh Milanin të fitojë. Ajo që ndodhi sezonin e fundit duhet harruar shpejt dhe me Max besoj se është e mundur”.
