Portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma, u shfaq thellësisht i zhgënjyer pas disfatës 3-0 ndaj Norvegjisë: “Nuk kam shpjegime për momentin, duhet të përballemi me realitetin. Tifozët tanë nuk e meritojnë këtë. Kjo është nga ato ndeshje që na kërkon të bëjmë ‘mea culpa’ të gjithë së bashku. Ne jemi Italia dhe kjo është e papranueshme. Të dalurit nga kjo situatë kërkon bashkim dhe vetëdije”.
Nag ana e tij, Nicolo Barella theksoi rëndësinë e ndeshjes, por kërkoi të mos humbet optimizmi: “Na dhemb kjo humbje, sepse ishte një ndeshje e rëndësishme. Sidoqoftë, ka ende shumë për t’u luajtur. Nuk e prisnim kështu, por iu dhamë shumë hapësira kundërshtarëve. Në pjesën e dytë e kishim të vështirë të gjenim hapësira. Nuk është ky niveli ynë real. Duhet të punojmë shumë, është e vetmja mënyrë për të reaguar”.
Kapiteni i Napolit dhe mbrojtësi i Italisë, Giovanni Di Lorenzo, nuk e fshehu zhgënjimin: “Ishim shumë poshtë nivelit. Gabime të tilla në këtë nivel ndëshkohen. Tani çdo ndeshje është vendimtare, nuk ka më hapësirë për gabime. Do ta analizojmë gjithçka me trajnerin. Problemet? I shoh si kombinim të aspektit fizik dhe mendor”.
Mbrojtësi i ri i Hellas Verona, Diego Coppola, debutoi me kombëtaren italiane, por në një skenar zhgënjyes: “Rezultati 3-0 është i tmerrshëm. E kemi interpretuar keq ndeshjen, pësuam gola nga gabime të thjeshta. Nuk mund të them që Norvegjia ka lojtarë më të mirë, por në fushë nuk e treguam veten. Marr përgjegjësinë time, duhet të bëja më mirë”.
Italia nis kështu me humbje të thellë një tjetër fushatë kualifikimi, duke e vënë menjëherë veten nën presion maksimal. Sfida e radhës do të jetë vendimtare për të parë nëse kjo skuadër është në gjendje të reagojë.
Donnarumma dhe axurrët e tjerë: Tifozët nuk e meritojnë këtë, humbje e papranueshme
