Shqipëri–Serbi/ Sylvinho gati me formacionin për duelin vendimtar të Botërorit 2026

Shqipëria do të përballet me Serbinë në sfidën më të rëndësishme të Grupit K, në kuadër të Kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Trajneri Sylvinho ka përfunduar përgatitjet dhe ka konfirmuar se formacioni titullar është gati, por do të bëhet publik vetëm një orë para ndeshjes.
Sipas raportimeve, rreshtimi pritet të jetë 4-3-3. Në portë do të jetë Thomas Strakosha, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Berat Gjimshiti dhe Arlind Ajeti, me Elseid Hysaj në të djathtë dhe Mario Mitaj në të majtë.
Mesfusha do të mbështetet në treshen e njohur Ylber Ramadani, Kristjan Asllani dhe Qazim Laçi. Në sulm, Sylvinho ka planifikuar një ndryshim të madh: Armando Broja dhe Arbër Hoxha në krahë, ndërsa Mirlind Daku pritet të jetë në qendër të repartit ofensiv, duke lënë jashtë treshen Bajrami-Asani-Manaj. Veçanërisht Rey Manaj ka shfaqur probleme fizike gjatë seancave të fundit.
Trajneri brazilian ka lënë të kuptohet se ekipi është në formë dhe i vendosur për një rezultat pozitiv ndaj një kundërshtari të drejtpërdrejt për kualifikim. Ndeshja do të luhet mbrëmjen e nesërme, ndërsa pritet me interes të madh nga tifozët shqiptarë.