Thomas Strakosha: Me Serbinë luajmë për tri pikë, por s’është ndeshje vendimtare

Adriatik BALLA
Shqipëria e Serbia përplasen të shtunën në duelin e parë për eliminatoret e Botërorit 2026, një ndeshje që do të luhet në Tiranë dhe mbart shumë emocion, për shkak të historive të shkuara midis dy përfaqësueseve por edhe përplasjeve politike ndërmjet dy vendeve, sidomos për shkak të krimeve që kanë bërë serbët ndër dekada në Kosovë. Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”, Skuadra ka nisur përgatitjet zyrtare prej ditës së hënë, teksa tashmë trajneri Silvinjo ka në dispozicion të gjithë ekipin.
Dje në konferencën për shtyp doli portieri kuqeziu, Thomas Strakosha, i cili u shpreh besimplotë se Shqipëria në këtë ndeshje do të bënte më të mirën e saj. Portieri kuqezi tha përpara gazetarëve se skuadra ndihet gati për këtë sfidë dhe që do të futen në fushë për të marrë tre pikët. Ai tregoi se ekipi e ka studiuar mirë Serbinë dhe se çfarë duhet të ketë parasysh për këtë takim. Në fund, Strakosha tha se ndeshja ndaj Serbisë është njëlloj si të gjitha sfidat e tjera, një ndeshje futbolli. “Nuk e shikoj vetëm personalisht, i gjithë grupi duhet të punojë mirë. Është një ekip me shumë kualitet dhe eksperiencë.
Ka bërë dy ndeshje të mira tani në fund. Por edhe ne kemi kualitet dhe mund ta përballojmë mirë këtë ndeshje. Jemi gati. Të gjithë çunat janë të përgatitur mirë, kanë emocione si në çdo ndeshje. Për tifozët është diçka më shumë. Po për ne vlen tre pikëshi dhe duam ta përballojmë mirë ndeshjen dhe t’i bëjmë tifozët të lumtur dhe të gëzojmë të gjithë bashkë. Ne e shikojmë nga ana sportive, vlejnë tre pikët. Duhet të tregojmë që e meritojmë një botëror dhe ndeshja me Serbinë është më e rëndësishmja tani për tani për të vazhduar ëndrrën tonë që është Botërori. Ne e kemi përgatitur shumë mirë ndeshjen deri tani, çunat janë pozitivë. Besoj mund t’ia dalim”, tha Strakosha
Rivali i fortë
Strakosha tha se skuadra jonë duhet të bëjë kujdes nga lojtarët e tyre në aksionet në krahë dhe krosimet, pasi janë lojtarë të gjatë. “Në goditje standarde janë të mirë, krosojnë mirë në zonë. E rëndësishme është që të jemi të gjithë të përqendruar, mos të vijë topi deri aty. Besoj kemi treguar edhe me kundërshtarë edhe më të vështirë që kemi grupin e mirë. I dimë gabimet tona dhe do provojmë mos ta bëjmë më. Një lojtar veç jo, por si ekip e dimë që në kundërsulm dhe goditje standarde janë shumë të mirë. E kemi përgatitur ndeshjen si ekip dhe jo individualisht”, shtoi ai.
Tifozët dhe synimi për vend të dytë në grup
Strakosha u shpreh i bindur se Kombëtarja është në vallen e kualifikimit, paçka se kjo duket e vështirë. Fillimisht ai foli për tifozët. “Një thirrje të veçantë jo, është një ndeshje futbolli. Çfarë ka ndodhur jashtë është tjetër gjë. Të gjithë tifozët na kanë mbështetur kudo dhe besoj se do të na mbështesin edhe në këtë ndeshje. Kam respekt për çdo tifoz shqiptar sepse na kanë mbështetur. Ne jemi profesionistë dhe përqendrohemi në çdo ndeshje ashtu si duhet. Do jetë një ndeshje e rëndësishme po, po jo që vendos se cili ekip renditet në vendin e dytë apo të tretë. Është një ndeshje e vështirë, ku duhet të japim maksimumin. Nuk mbaron asgjë tani. Sa më takon mua, në karrierën time kam pasur edhe momente ku nuk kam luajtur. Nuk besoj që është problem, pasi stërvitem gjithmonë. Ndihem gati dhe jam mirë”, nënvizoi në fund Strakosha.