“Kampionati ynë është në të njëjtin nivel me Premier League, La Liga dhe Serie A”. Është kjo deklarata e dhënë presidenti i PSG, Nasser Al-Khelaïfi, pak ditë pas triumfit në Champions League.
Një fitore historike e parisienëve, ndaj numri 1 i PSG bëri një thirrje të fortë për unitet, duke thënë se të gjithë kanë kontribuar në suksesin e kampionëve të Francës. Ai foli gjatë takimit të klubeve të kampionatit francez.
“Faleminderit të gjithëve që jeni këtu. Të gjithë kontribuan në këtë sukses. Ne punuam shumë për të fituar këtë trofe të mrekullueshëm. E gjithë familja franceze e futbollit punoi për ta fituar atë, jo vetëm PSG. Ne përfaqësojmë dhe mbrojmë klubet franceze, është shumë e rëndësishme për ne”, tha Al-Khelaifi.
“Kur dëgjoj UEFA të përgëzojë lojtarët e Brest për paraqitjen e tyre në Europë këtë vit jam krenar. Gëzohem edhe kur shoh Lille që mposht Real Madrid ose Monaco të mundë Barcelonën, është një sukses për të gjitha klubet franceze, për të gjithë futbollin francez”, tha presidenti i PSG.
Më tej, ai shtoi: “Asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga fitimi i këtij trofeu. Fituam falë një trajneri të madh, një drejtori të madh sportiv, lojtarëve të mëdhenj, por më e rëndësishmja është se ne dinim të luanim si ekip. Kjo është arsyeja kryesore e fitores sonë. Dhe nëse e them këtë, është për t’ju kërkuar të gjithëve të punoni së bashku”.
“Nëse duam të arrijmë synimet tona, duhet të harrojmë politikën, të lëmë mënjanë egon dhe të punojmë së bashku që të gjithë, Liga, Ministria e Sportit, i gjithë futbolli francez të arrijë qëllimet e veta. Dua të falënderoj Ligën, dua të falënderoj klubet që ranë dakord të shtyjnë ndeshjet tona për të mos luajtur çdo tre ditë”, tha Al-Khelaifi.
Al-Khelaifi: Triumbi i PSG është triumf i futbollit francez, Liga jonë e barabartë me të tjerat
