FSHF jep sqarim për biletat, por shihen në treg të zi me çmime shumëfish

Adriatik BALLA
FSHF u shfaq sërish dje me një njoftim për shtyp, përcjellë nga faqja e vet zyrtare, ku sqaronte se përzgjedhja e biletave si proces vijon ende dhe se shtyrja me dy ditë e daljes së rezultateve, lidhej me ngarkesën e rrjetit si pasojë e kërkesave të shumta (mbi 200 mijë kërkesa). Në këto rrethana, FSHF caktoi këtë të mërkurë si afatin e shpërndarjes së biletave në versionin online me email, por pa dhënë ende detaje se si kompjuteri do të bëjë përzgjedhjen. Sidoqoftë, media të caktuara online dje pretendonin se biletat e para janë parë në treg të zi me çmim disafish nga normale, çmim që shkon në qindra euro për një biletë në sektorin pas porte.
Qëndrimi i FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit informon të gjithë tifozët dhe publikun e interesuar se procesi i shortit elektronik për përzgjedhjen e atyre që kanë fituar të drejtën për të blerë bileta për ndeshjen Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, do të vijojë deri më datat 3-4 qershor. Kjo zgjatje është bërë e domosdoshme për shkak të numrit shumë të lartë të aplikimeve të regjistruara në sistem dhe ngarkesës së platformës, çka e bën të nevojshëm një proces më të kujdesshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë aplikuesit. Procesi i shpërndarjes së biletave ka nisur, dhe një pjesë e aplikuesve që janë përzgjedhur si fitues nga shorti elektronik janë tashmë pajisur me bileta përmes platformës së dedikuar.
FSHF i bën thirrje të gjithë personave që kanë aplikuar për bileta të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme adresat e tyre të emailit (si në inbox ashtu edhe në Spam), për të parë nëse kanë marrë njoftim nga kompania T-Ticket, e cila menaxhon procesin zyrtar të shitjes së biletave. Vetëm ata që do të përzgjidhen përmes shortit elektronik do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletave. Nëse pas datës 4 qershor nuk merrni një email konfirmimi, kjo do të thotë që nuk jeni përzgjedhur nga shorti elektronik. Nuk do të dërgohet njoftim për ata që nuk janë përzgjedhur. FSHF falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe durimin, duke garantuar se çdo hap i këtij procesi po realizohet me transparencë të plotë dhe barazi për të gjithë aplikuesit.
Biletat në treg të zi
Siç thamë më lart, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar të martën se deri të mërkurën nuk do të shpërndahen të gjitha biletat për ndeshjen e së shtunës Shqipëri-Serbi. Por Federata Shqiptare e Futbollit tashmë ka shpërndarë një pjesë të biletave dhe procesi po vazhdon. Ndërkohë në tregun e zi, përkatësisht në faqe të ndryshme të shitblerjes në internet, tashmë ofrohen bileta për ndeshjen. Çmimi i këtyre biletave është prej qindra eurove. Interesimi për ndeshjen e së shtunës është shumë i madh, sidomos në Kosovë. Mbetet të shihet se si do të përfundojë ky proces, por e dukshme është se masa e tifozëve të zhgënjyer që nuk do të marrin biletë do të jetë e madhe.