Shtyhet ndarja e biletave për Serbinë, FSHF: Kontrollini email-in tuaj deri në 3 dhe 4 qershor, fluks i madh i aplikimeve

Të gjithë ata që kanë aplikuar për një biletë të ndeshjes së shumëpritur Shqipëri-Serbi, e kanë ende edhe një mundësi për të mos e humbur sfidën e të shtunës në Arenën Kombëtare.

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se është shtyrë me dy ditë të tjera, përkatësisht më 3 dhe 4 qershor, procesi i shortit elektronik nga i cili përzgjidhen fituesit e biletave për duelin kualifikues të Botërorit 2026, Shqipëri-Serbi.
“Kjo zgjatje është bërë e domosdoshme për shkak të numrit shumë të lartë të aplikimeve të regjistruara në sistem dhe ngarkesës së platformës, çka e bën të nevojshëm një proces më të kujdesshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë aplikuesit”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të federatës.

Fluksi i kërkesave për biletat për duelin kualifikues të Botërorit ka qenë i jashtëzakonshëm. Megjithatë, ajo që bie në sy për këtë sfidë është se, për herë të parë pas dy dekadash, Shqipëria nuk do të ketë në krah grupin ultras “Tifozët Kuqezinj”, të cilët e kanë mbështetur kombëtaren brenda dhe jashtë vendit pa kursim. Krisja me Federatën është tashmë një realitet, pasi grupimi njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se nuk do të jenë të pranishëm në mënyrë të organizuar në stadium të shtunën.
“Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme ku anëtarët tanë u organizuan për të siguruar bileta në sektorin tonë tradicional, këtë herë nuk morëm pjesë në farsën e organizuar me pretekstin e një “shorti” të rremë. Ky sistem, i ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe më pas për të ushqyer pazaret e zakonshme, është thellësisht i padrejtë dhe i papranueshëm”, njoftuan ata.
Në duelin kundër Serbisë pritet të jenë të pranishëm në stadium diçka më shumë se 21 mijë tifozë, nga të cilët një pjesë e vogël u shpërndahet institucioneve dhe sponsorëve. Çmimet për tifozët e thjeshtë janë rritur ndjeshëm, teksa bileta më e lirë kushton 20 mijë lekë të vjetra. Në tribunën përballë, çmimi arrin deri në 150 mijë lekë, ndërsa në tribunën qendrore shkon deri në 500 mijë lekë të vjetra./vizionplus.tv