1 Prill 2025
10:23
Telesport
Premier League rikthehet sot pas një pushimi të gjatë dhe në ndeshjet e mesjavës spikat derbi mes Liverpool dhe Everton. Trajneri i “reds” Arne Slot shpreson që skuadra e tij të rigjejë buzëqeshjen pas disa rezultateve zhgënjyese si eliminimi nga Champions League dhe humbja e finales së Carabao Cup.
“Isha më shumë i zhgënjyer për humbjen e finales së Kupës krahasuar me eliminimin në Champions. E meritonim ta humbnim atë finale, pasi nuk bëmë asgjë të mirë në atë ndeshje. Tani pres një reagim edhe pse e di që do të jetë një derbi i vështirë për ne dhe rivalët tanë”, tha Slot.
“Jemi në krye të renditjes së Premier League dhe duhet të reagojmë si të tillë, pasi kemi një trofe që duhet ta fitojmë. Shpresoj që kjo ndeshje derbi të mos jetë si ajo e fundit, me shumë eposide të diskutueshme kundër nesh dhe një gol të pësuar pas një kohe të gjatë shtesë”, shtoi trajneri holandez.
“Kjo është një ndeshje derbi por këtë herë do të luajmë në fushën tonë dhe do të kemi një tifozeri të zjarrtë nga pas që do të na mbështesë, ndaj duam t’u japim atyre një gëzim. Nëse duam të fitojmë titullin duhet të bëjmë mirë në këtë ndeshje, pa menduar për rivalin që kemi përpara”, tha Arne Slot.
